Ballina Fokus Lajme

Vetëm në katër burgje ligjërojnë imamët e BIK-ut

Që nga maji i vitit të kaluar kur është nënshkruar marrëveshja në mes të Ministrisë së Drejtësisë dhe BIK-ut, vetëm në katër burgje janë duke ligjëruar imamët.

Më 11 maj të vitit të kaluar Ministria e Drejtësisë dhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) kishin nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit, në të cilin u angazhuan 20 imamë që të mbajnë ligjërata fetare në burgjet e Kosovës në përpjekje për deradikalizimin e të burgosurve, raporton lajmi.net.Që nga ajo kohë e deri më tani vetëm në katër burgje të Kosovës janë duke u zhvilluar ligjërata të rregullta.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora.“Në bazë të marrëveshjes që e kemi bërë janë 20 imamë nëpër burgje. Por për momentin deri më sot vetëm në katër burgje ka filluar ky aktivitet, në burgun e Dubravës, të Dyzit dhe në burgun e Lipjanit edhe te femrat”, ka treguar Bajgora për lajmi.net.

Ai ka thënë se presin që në javën e ardhshme do të kenë takime drejtorin e burgjeve në mënyrë që të vazhdohet ligjërimi edhe në burgjet e tjera.Bajgora ka thënë se ligjëratat nëpër burgje bëhen një herë në javë nga një ose dy orë.

“Jo, asnjëri nuk ligjërojnë ditëve të xhuma, por e kanë të caktuar një ditë tjetër të javës. Pra ligjërojnë vetëm një herë në jave nga një orë ose dy”, ka deklaruar Bajgora për lajmi.net.Ndryshe në bazë të marrëveshjes ishte vendosur që në Burgun e Sigurisë së Lartë të angazhoheshin dy imamë, Imri Llugaliu e Mehmet Fazliu.Në Qendrën e Paraburgimit dhe Ndalimit në Prishtinë, imami Remzi Haziri dhe Idriz Xhigoli.Në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë do të jenë të angazhuar imamët Sadi Hasani dhe Jetish Berisha, në Qendrën e Paraburgimit në Pejë imamët Muhamet Mavraj dhe Artan Zeka, në Qendrën Korrektuese në Dubravë ishte angazhuar Musli Arifi.

Në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan Zaim Baftiu dhe Vehbi Gajtani, në Qendrën Korrektuese në Lipjan imamët Refik Bahtiri, Lumnije Bahtiri dhe Sanije Mehmeti, në Qendrën Edukuese-Korrektuese në Lipjan Skender Mehmeti dhe Burim Arifi, në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan imami Iljaz Mustafa, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren do të jenë Faruk Ukallo dhe Edib Abazi dhe në Qendrën Korrektuese në veri të Mitrovicës do të jenë Rexhep Lushta dhe Irfan Krasniqi.

Ndryshe, memorandumi i bashkëpunimit, i nënshkruar nga ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri dhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, parasheh rehabilitimin dhe riintegrimin e personave në vuajtje të dënimit sipas legjislacionit në fuqi.

You may also like