Ballina Lajme

Veseli: Trump do të jetë kurorëzues i ulëses së Kosovës në OKB

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se është i bindur që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump do të jetë kurorëzues i ulëses së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Këshillin e Sigurimit.

Veseli këtë deklaratë e bëri në një konferencë për media, ku tha se presidenti Trump në letrën dërguar presidentit të vendit, Hashim Thaçi i ka bërë nder Kosovës.

Ai theksoi se Kosova duhet të jetë falënderuese Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Presidenti Trump i ka bërë nder Kosovës. Për atë arsye duhet të jemi falënderues. Trump do të jetë kurorëzues i ulëses së Kosovës në Këshill të Sigurimit të OKB-së”, potencoi Veseli.

Ndryshe, presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka dërguar një letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku ka kërkuar nga liderët në Kosovë që të shfrytëzojnë këtë moment të cilin ai e ka quajtur unik, të flasin me një zë dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Në këtë drejtim, ndër tjerash Trump, i ka shkruar presidentit Thaçi se SHBA-të janë të gatshme që të ndihmojnë në përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë.

Në anën tjetër Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në letrën kthyese ndaj Presidentit Trump ka thënë se liria dhe pavarësia e Kosovës, janë rezultat i luftës sonë të drejtë dhe përkrahjes së aleatëve tanë strategjikë ndërkombëtarë.

Sipas tij, Kosova është e bekuar që gëzon mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe të popullit amerikan, ku bashkëpunimi dhe miqësia jonë është e përhershme dhe reciproke. 

You may also like