Lajme Rajoni dhe Bota

Vdesin 30 të burgosur në tentimin për t’u arratisur

Së paku 30 të burgosur kanë humbur jetën gjatë një revolte në burgun e Acarigua, në zonën perëndimore të Karakas, në Venezuelë.

Revolta, e cila u shoqërua me përplasje të ashpra mes të burgosurve dhe policisë, lindi pas vdekjes së një të dënuari, çka u pasua këtë të premte me një tentativë arratisje në masë. Gjatë përplasjes mbetën të plagosur edhe 7 të burgosur dhe 18 agjentë policie.

Policia konfirmoi se të burgosurit sulmuan me plumba dhe granata policinë, duke çuar në përplasjen e dhunshme.

Mirëpo shoqata në mbrojtje të të burgosurve, thotë se revolta lindi pasi policia ndërhyri në burg, duke ndërprerë takimet mes grave dhe të fejuarave të të burgosurve, të cilat kishin shkuar për takim.

Për javë me radhë, sipas drejtorit të shoqatës Humberto Prado, të burgosurit kishin kërkuar që të mos transferoheshin në burgje shumë larg vendit të tyre të origjinës, pasi në këtë mënyrë iu vështirësoheshin kontaktet me familjarët.

You may also like