Lajme Rajoni dhe Bota

Turqi, policia kryen hetime në dy vila në lidhje me vrasjen e Khashoggit

Ekipet turke të sigurisë kanë nisur një operacion kërkimi në dy vila në provincën Yalova në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).

Policia dhe xhandarmëria e Turqisë nisën fillimisht kërkimet në një vilë dykatëshe me kopsht të madh në fshatin Samanlı pranë qytezës Termal, ndërsa më pas filluan hetimin edhe në vilën tjetër dykatëshe në afërsi.

Në kërkim janë angazhuar edhe qenë detektues, ndërsa policia turke ka marrë masa të gjera të sigurisë.

Në vazhdën e kërkimeve, policia turke nisi ekzaminimin e një pusi në kopshtin e vilave, duke angazhuar edhe automjete të zjarrfikësit kundër vërshimeve dhe shtypjeve të ujit.

Hetimi në vilë është duke vazhduar.

Guvernatori i Yalovas, Muammer Erol, tha në një kumtesë se hetimi në Samanlı është duke u zhvilluar nën koordinimin e Kryeprokurorisë Publike të Stambollit, e cila do të shpalosë për opinionin natyrën dhe epilogun e hetimit.

Ndryshe, gazetari saudit Jamal Khashoggi u vra pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor.

Pas disa javësh mohime për përfshirje në krim, Arabia Saudite më vonë pranoi se Khashoggi ishte vrarë brenda konsullatës, por tha se familja mbretërore saudite nuk kishte njohuri paraprake për ndonjë komplot për vrasjen e gazetarit.

You may also like