Ballina Lajme

Thaçi i përgjigjet Natasha Kandiçit: Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i është përgjigjur humanistes serbe Natasha Kandiq e cila përmes një letre dërguar Thaçit i ka kërkuar që t’ua mundësojë serbe të Gjakovës që ta vizitojnë këtë vit kishën.

Thaçi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “si President i Kosovës, ashtu sikur edhe në kapacitetet tjera institucionale që kam mbajtur më parë, do të angazhohem për liri dhe siguri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb, kudo në Kosovë”.

Postimi i plotë i Thaçit:

Zonjën e nderuar, humanisten e njohur serbe Natasha Kandiq, e siguroj që si President i Kosovës, ashtu sikur edhe në kapacitetet tjera institucionale që kam mbajtur më parë, do të angazhohem për liri dhe siguri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb, kudo në Kosovë.

Edhe në ditët më të vështira, qytetarët tanë kanë ruajtur objektet fetare, monumentet historike dhe trashëgiminë ortodokse të Kosovës.

Ne vazhdojmë ta njohim kontributin e zonjës Kandiq dhe i shprehim mirënjohje të thellë për aktivitetin e saj para, gjatë dhe pas luftës.

Sot, është e paimagjinueshme dhe është e papranueshme që dikush të cenojë të drejtat apo të mos lejojë vizitën e qytetarëve serbë në objektet fetare, qoftë në Gjakovë ose kudo tjetër anembanë Kosovës.

Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve, pa dallim feje, kulture ose përkatësie etnike. Jemi shteti më demokratik në rajon dhe më gjerë, ku komunitetet etnike mbrohen me kushtetutë.

E ardhmja euro-atlantike e Kosovës është e sigurt vetëm duke ndërtuar shtet demokratik dhe duke ruajtur karakterin multi-etnik të shoqërisë tonë.

You may also like