Ballina Lajme

Thaçi i kundërpërgjigjet Haradinajt: Thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan meritojnë vetëm të hidhen në shportë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i është kundërpërgjigur kryeministrit Ramush Haradinaj, pak minuta, pasi ky i fundit foli për çështjen e kufijve.

Thaçi përmes një postimi në Facebook duke mos e specifikuar se kujt po i referohet, ka përmendur “thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan” që i pari i ekzekutivit ka përmendur në statusin e tij.

Sipas Thaçit “individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion”.

“Thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë”, ka shkruar Thaçi.

“Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon”, kishte shkruar më herët Haradinaj.

Statusi i plotë i Hashim Thaçit:

Të gjitha shtetet perëndimore, aleatët tanë, garantuesit e paqes dhe sigurisë në Ballkan po bëjnë përpjekje dhe thirrje për paqe, stabilitet dhe arritje të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje nënkupton njohje reciproke dhe perspektivë të sigurt të anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB. Por, fatkeqësisht, individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion.

Kosova, përkundër kësaj, mbetet e përkushtuar për dialog dhe arritje të marrëveshjes paqësore përfundimtare.

Thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë.

You may also like