Ballina Lajme

Të rishikohet çështja e profilizimit të universiteteve publike

Raporti i grupit punues për profilizimin e universiteteve publike në vend ka përfunduar dhe shumë shpejt do të diskutohet në Qeveri.

Në këtë raport janë paraqitur dy propozime: njëri ka të bëjë me profilizimin e gjithë universiteteve publike dhe i dyti që ato të shndërrohen në dy universitete. Ndërsa, ekspertët thonë se tani Qeveria po përpiqet të merret me pasojat e themelimit të këtyre universiteteve pa ndonjë parapërgatitje të veçantë.

Grupi punues i formuar nga Ministria e Arsimit, ka përfunduar raportin me propozime konkrete për profilizimin e universiteteve publike të vendit, i cili pritet që së shpejti të diskutohet në Qeveri. Këshilltari në Ministrinë e Arsimit, Arben Dermaku, tha për Radio Kosovën se në bazë të këtij dokumenti do të formohen grupet punuese me pjesëmarrjen e universiteteve publike dhe do të dalin propozimet konkrete se cilat do të jenë masat lidhur me profilizimin. Ai tha se mundësia e parë është profilizimi i universiteteve ekzistues, ndërsa e dyta është bashkimi i universiteteve në një ose dy universitete.

“Edhe nëse bëhet bashkimi i universiteteve, nuk preken kampuset. Ndërsa, në të ardhmen mund të funksionojnë si të bashkuara dy tri universitete. Ndërsa, profilizimi do të duhej të bëhej duke komunikuar universitetet përmes Konferencës së Rektorëve dhe grupeve punuese, duke reflektuar universitetet se për cilat fusha të orientohen”, deklaroi Arben Dermaku.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, tha se është e nevojshme të rishikohet çështja e profilizimit të universiteteve. Megjithatë, si theksoi se kjo mund të jetë në kundërshtim me vet konceptin e universitetit, pasi universiteti është institucion që ka për qëllim të ofrojë programe nga disa fusha të ndryshme.

“Më tepër janë të profilizuara në botë ato që quhen kolegje, institute apo fakultete se sa universitete. Tani po përpiqet Qeveria që të merret me pasojat e themelimit të këtyre universiteteve pa ndonjë parapërgatitje të veçantë, sepse po e shohin se kapacitetet janë dyfishuar, ndërsa thjesht diplomimi në cilindo nga këto universitete nuk garanton punësim në Kosovë”, deklaroi Dukagjin Pupovci.

Pupovci theksoi se një ide e mirë do të ishte edhe shkrirja e tyre në dy ose tri universitete, që nuk do të mirëpritet aspak nga menaxhmentet e tyre. Por, brenda një vendi kaq të vogël, ai tha se mjaftojnë dy ose tri universitete të mbulojnë kërkesat e të rinjve për të studiuar.

You may also like