Ballina Lajme

Taksa për prodhimet e Serbisë, Beogradi kërkon ndërhyrjen e BE-së

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha se pret nga Bashkimi Evropian veprime konkrete dhe jo vetëm deklarata, pas vendimit të autoriteteve në Prishtinë për të rritur taksën mbi mallrat e importuara nga Serbia në 100%.

“Veprimi i Prishtinës synon shtypjen e serbëve në Kosovë”, tha Stefanoviq për mediat serbe.

Sipas tij, “sjellja e papërgjegjshme e Prishtinës sjell paqëndrueshmëri në të gjithë rajonin”, raporton REL.

Duke folur për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, Stefanoviq pyeti se cili është qëllimi i tij pas këtij vendimi të Prishtinës.

Të mërkurën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të rritur nga 10% në 100% taksën mbi prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, u bëri thirrje autoriteteve kosovare që ta tërheqin këtë taksë, duke thënë se ajo shkel Marrëveshjen për Tregti të Lirë CEFTA dhe Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim midis BE-së dhe Kosovës.

You may also like