Lajme Rajoni dhe Bota

Sulm i armatosur në Teksas, të paktën 20 viktima

Të paktën 20 persona kanë humbur jetën në të shtënat që ndodhën në një qendër tregtare në El Paso, në shtetin Teksas të SHBA-ve, bëri të ditur një zyrtar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media, të transmetuar nga CNN, guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha se rreth 20 të tjerë gjithashtu u plagosën nga sulmi i armatosur.

Më herët, Enrique Castillo, zëdhënësi i departamentit të policisë në El Paso, tha se incidenti ka ndodhur në shitoren e Walmart-it në Cielo Visto Mall, dhe se disa persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Mediat lokale gjithashtu publikuan pamje të kamerave të sigurisë ku shfaqej sulmuesi duke hyrë në ndërtesë me një pushkë automatike. Duke cituar disa burime, CNN tha se i dyshuari është 21-vjeçari Patrick Cruises nga Allen, Teksas.

Shefi i policisë së El Pasos, Greg Allen, konfirmoi se i dyshuari është identifikuar të jetë një 21-vjeçar nga Allen, duke thënë se ai është arrestuar.

“Tani kemi një manifest nga ky individ që sugjeron deri në një shkallë lidhje të mundshme me krim të urrejtjes”, tha Allen.

Më herët, Dee Margo, kryetari i qytetit, tha se disa të dyshuar u arrestuan në lidhje me të shtënat.

“Zemrat tona janë me viktimat dhe mirënjohet janë për reaguesit e parë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Në lidhje me sulmin reagoi edhe presidenti Donald Trump përmes rrjeteve sociale.

“Të shtëna të tmerrshme në El Paso, Teksas. Lajmet janë shumë të këqija, shumë viktima. Punojmë me autoritetet shtetërore dhe lokale, si dhe me organet e zbatimit të ligjit. Bisedova me guvernatorin për t’i dhënë mbështetje të plotë Qeverisë Federale. Zoti qoftë me ju”, shkroi ai.

Kandidatët amerikanë për president gjithashtu kanë dënuar sulmin dhe i kanë bërë thirrje opinionit që të ndjekë udhëzimet e policisë dhe zyrtarëve të sigurisë.

You may also like