Ballina Lajme

Sondazh i KDI: 61 për qind e qytetarëve presin njohjen e Kosovës nga Serbia

Organizata joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), sot në konferencën për media shpalosi rezultatet e sondazhit me opinionin publik, lidhur me fazën përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi dhe çështjet aktuale që janë trajtuar së fundmi nga partitë politike si zgjedhjet e parakohshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Violeta Haxholli nga KDI, duke shpalosur rezultatet e sondazhit ka bërë të ditur se sa i përket pyetjes drejtuar qytetarëve të Kosovës lidhur me pritshmëritë e tyre rreth përmbajtjes së marrëveshjës përfundimtare të dialogut Kosovë – Serbi, 61 për qind e tyre kanë deklaruar se presin që kjo marrëveshje të përmbajë njohjen e Kosovës nga Serbia, 56 për qind anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, 22 për qind shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë dhe 25 për qind autonomi të zgjeruar për serbët e Kosovës.

Në pyetjen tjetër mbi pranushmërinë e rezultateve nga kjo marrëveshje, Haxholli theksoi se: “97 për qind e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se do të pranonin që rezultati i bisedimeve të fazës finale të jetë njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia. Vetëm 3 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se nuk do të pranonin një rezultat të tillë. Dallimi sipas përkatësive etnike ka qenë shumë i theksuar përderisa 100 për qind e shqiptarëve dhe 86 për qind e komuniteteve të tjera kanë deklaruar se do të pranonin si rezultat njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërsa, vetëm 9 për qind e serbëve të anketuar kanë deklaruar se do të pranonin njohjen e Kosovës”.

Si rezultat i kësaj pyetjeje Haxholli tha se të gjithë qytetarët nga komuniteti shqiptar e pranojnë opsionin e njohjes së Kosovës duke shtuar se 91 për qind e qytetarëve nga komuniteti serb kanë deklaruar se nuk do të pranonin njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia.

Ndërkaq, Jeta Krasniqi nga KDI tha se sondazhi është zhvilluar nga 10 deri në 20 qershor 2018 ku janë anketuar 1.072 qytetarë nga të gjitha komunitetet etnike në gjithë territorin e Kosovës.

Duke folur për rezultatet e pyetjes se kush duhet të udhëheq grupin negociator të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Krasniqi tha se: “44 për qind e qytetarëve janë ata të cilët vlerësojnë se ekipi negociator në bisedimet me Serbinë duhet të udhëhiqet nga Presidenti i Kosovës, 31 për qind e qytetarëve vlerësojnë se ky ekip duhet të udhëhiqet nga liderët e opozitës ndërsa 25 për qind e qytetarëve vlerësojnë se ky proces duhet të udhëhiqet nga kryeministri i vendit”.

Në pyetjen nëse mendojnë qytetarët e Kosovës se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do ta largojë përfundimisht ndikimin e Serbisë nga Kosova, Krasniqi potencoi se 48 për qind e të anketuarve mendojnë se kjo nuk do të ndodhë me marrëveshjen përfundimtare.

Ajo po ashtu theksoi se në pyetjen drejtuar të anketuave nëse do të votonin në rast se zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin të dielën e ardhshme, 45.3 për qind prej tyre kanë thënë se do të votonin definitivisht, 29.8 për qind ndoshta do të votonin, 6.9 për qind me gjasë nuk do të votonin dhe 8.8 për qind definitivisht jo.

You may also like