Ballina Fokus Lajme

Reagon Këshilli i Bashkësisë Islame të Vushtrrisë për rastin e Sabri Beqirit

Këshilli i Bashkësisë Islame të Vushtrrisë, përmes një komunikate për medie, ka sqaruar në lidhje me rastin e qytetarit Sabri Beqiri, të transmetuar mbrëmë në televizionin publik.
Ata, përmes kësaj deklarate kanë thënë se asnjë qytetar i Vushtrrisë nuk paguan për shepnzimet e varrimit, si dhe Bashkësia Islame nuk ka ndodhur asnjëherë që të refuzojë shërbimet e varrimit të ndonjë qytetari për mos pagesë, shkruan TemaDitore.com.
Më poshtë e gjeni komunikatën e plotë të Këshillit.
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Lidhur me kronikën në RTK për rastin e qytetarit Sabri Beqiri, Këshilli i Bashkësisë Islame -KBI në Vushtrri njofton opinionin dhe qytetarët se:
– Asnjë qytetar i Vushtrrisë nuk paguan për shpenzime të varrimit, e për më tepër Bashkësia Islame nuk ka ndodhur asnjëherë që të refuzojë shërbimet e varrimit të ndonjë qytetari për mos pagesë, aq më tepër të rastet skamnore.
– Shpenzimet e ritit të varrimit për çdo qytetar që nga janari 2018 i mbulon Komuna e Vushtrrisë, për çka si bashkësi jemi mirënjohës dhe kjo masë ka lehtësuar jetën e qytetarëve të Vushtrrisë.
– Sqarojmë opinionin se anëtarësia është çështje e ndarë nga shpenzimet e varrimit. Si çdo kund në botë edhe tek ne paguhet si anëtarësia si shpenzimet e varrimit.
– Për më tepër qytetari Sabri Beqiri ndihmohet rregullisht nga KBI dhe imamët me ndihma mujore materiale e ushqimore. Për këtë kemi dëshmi dhe janë të çashme nga secili që ka interesim (shih foton).
– Qytetari Sabri Beqiri me rastin e pagesës nuk ka deklaruar që është rast skamnor. Ne si KBI kur kemi kuptuar nga gazetari që ka bërë kronikën rastin e qytetarit Sabri Beqiri, jemi befasuar me deklaratën e qytetarit Sabri Beqiri se është rast skamnor sepse këtë ai nuk e ka deklaruar tek zyrtari i KBI kur e ka bërë pagesën.
– Qytetari Sabri Beqiri, ka ardhur në Këshill dhe me vet dëshirë me para në xhep dhe ka deklaruar se dëshiron të paguajë anëtarësinë e pa paguar, duke deklaruar që “tani që  është rasti edhe kam edhe ndihmën e vllaznillakut”. Nuk ka kërkuar të lirohet e as nuk ka paraqitur dëshmi që është rast social. Ndryshe KBI i liron nga pagesa e anëtarësisë të gjithë skamnorët.
– Duke dashur që të ruajmë ndjeshmërinë e rastit si skamnor e duke dashur të ruajmë privatësinë e një skamnori e të familjes së tij jemi përmbajtur nga deklarimi për medie por kemi zhvilluar procedurat për të verifikuar këtë rast. Zyrtari i Këshillit ku është paguar anëtarësia është në zyre dhe nuk ka si me ditë që një rast është skamnor nëse nuk paraqitet ndonjë dëshmi nga vet qytetari e aq më tepër kur i njëjti ka ardhur me para në dorë në KBI dhe pa asnjë vërejtje a kërkesë për lirim, e ka paguar anëtarësinë.
– Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri i ka kthyer sot paratë e anëtarësisë qytetarit Sabri Beqiri. Po ashtu KBI ka formuar një komision të brendshëm për të shikuar nëse ka pasur ndonjë lëshim nga zyrtarët e KBI në këtë rast e për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
– KBI në Vushtrri ndihmon në baza mujore mbi 100 familje në Vushtrri me ndihma ushqimore e materiale.
– Në Vushtrri asnjë familje nuk mbetet pa miell dhe gjana ushqimore sepse këto sigurohen nga imamët me përkrahjen e qytetarëve nga grumbullimi i zekatit dhe kjo praktikë është që zbatuar në 15 vitet e fundit.
– KBI në Vushtrri kontribuon vazhdimisht me ndihma ushqimore e materiale skamnorët por po ashtu ka ndërtuar 3 shtëpi për skamnorët dhe ka siguruar donacion të vlefshëm për komunitetin si shtëpi shëndeti e shtëpi për kujdes për fëmijët me nevoja të veçanta.
KBI Vushtrri,

datë 05.02.2019

 

You may also like