Ballina Lajme

Punëtorët teknikë të Prishtinës kërcënojnë me grevë të përgjithshme

Punëtorët teknikë të disa shkollave të Prishtinës, punëtorët e sigurimit dhe të Qendrave Mjekësore e Familjare të Prishtinës të përkrahur nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat kanë protestuar para ndërtesës së Komunës së Prishtinës.

Ata paralajmëruan nga java e ardhme edhe greva nëse komuna nuk ndërmerr ndonjë veprim në drejtim të plotësimit të kërkesave të tyre.

Këta punëtorë po kërkojnë të kthehen nën menaxhim të Komunës së Prishtinës dhe pagesën e 4 për qindëshit.

“Ndal diskriminimin e punëtorëve në sektorin privat”, “Paguaj borxhin”, “Respekto ligjin na kthe nën menaxhim të komunës”, ishin vetëm disa nga kërkesat përmes parullave që po i kërkonin këta punëtorë.

Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, tha se për herë të fundit kanë dalë t’ia tërheqin vërejtjen udhëheqësve të Prishtinës që t’i zbatojë qëndrimet e veta.

Përkundër nënshkrimeve të marrëveshjeve për pagesë e katër përqindëshit dhe kthimin nën menaxhim të komunës për punëtorët teknikë, Azemi tha se asnjë veprim nuk e ka ndërmarrë komuna.

Emine Sahiti, punëtor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, tha se së këta punëtorë janë të diskriminuar dhe të shkelur plotësisht, dhe duke mos pasur rrugëdalje tjetër, po vazhdojnë ta bëjnë ende këtë punë.

“Nuk na paguhen as festat, nuk na paguhen dy kujdestari që na bien brenda një muaji. Është edhe tjetra që na kanë dhënë premtime që një vit se do të kthehemi nën menaxhim të Komunës siç kemi qenë më herët dhe tani ka fjalë se jo nuk është përgjegjësi e Komunës – a këto premtime i kemi marrë nga Komuna”, u shpreh ajo.

Ndërsa Ismet Vllasaliu, punëtor në shkollën fillore “Dardania”, tha se Komuna e Prishtinës në krye me Shpend Ahmetin është duke bërë keqpërdorim.

Sipas tij, mos realizimi i 4 për qindëshit të premtuar dhe të qenit ende të privatizuar po ndikon negativisht edhe në gjendjen ekonomike të familjes së tij.

Ndryshe, muaj më parë punëtorët teknikë të shkollave dhe qendrave mjekësore të Komunës së Prishtinës kanë protestuar me kërkesa të njëjta dhe po ashtu kanë mbajtur grevë një ditore.

You may also like