Ballina Lajme

Prokuroria Speciale: Protestat e veteranëve nuk ndikojnë në veprimet tona

Qindra veteranë të UÇK-së protestuan sot para para Pallatit të Drejtësisë. Arsye e protestës së tyre ishin pakënaqësitë me emrat që figurojnë në listat e veteranëve të cilët prokuroria ka cilësuar se kanë përfituar jashtëligjshëm pensione.

Madje, ata i dhanë edhe një afat Prokurorisë, që nëse deri më 8 tetor nuk kërkojnë falje për këto lista, do të vazhdojnë me protesta, të cilat ata paralajmëruan që nuk do të jenë paqësore.

E nga Prokuroria Speciale, po thonë se megjithë protestat, ata do të veprojnë konform ligjit.

Zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Hekrem Lutfiu, tha se pavarësisht protestave, do të veprohet vetëm sipas ligjeve në fuqi.

“Hapat e rradhës së Prokurorisë janë se do të veprohet vetëm në bazë të ligjeve. Protestat janë e drejtë e secilit, mirëpo ato nuk mund të ndikojnë në veprimet e institucioneve të Drejtësisë, ne e kemi të përcaktuar me ligj se çka të veprojmë”, është shprehur Lutfiu për lajmi.net.

Përveq kërkesave drejtuar prokurorisë, veteranët protestues sot kërkuan edhe miratimin e ligjit për vlerat e luftës si dhe ndryshimin e ligjit për veteranët.

Theksojmë se protesta e sotme nuk u përkrah nga OVL e UÇK-së.

You may also like