OP/ED

PËRSE VETËM BASHKËSIA ISLAME MUND TA TUBOJË DHE SHPËRNDAJË SADAKË

 

Disa zëra individualë dhe disa zëra shoqatash me tërë zhurmën dhe gojën propagandojnë se zeqati dhe sadakatul-fitri nuk duhet t’i jepet Bashkesisë Islame për medresetë dhe fakultetet islame. Përveç mungesës së mosdijes profesionale të njerëzve të tillë, ata kanë dhe ambicie për pasurim që e ka treguar koha dhe ambicie për rrënim të këtij institucioni bazor të fesë islame.
Duhet pasur parasysh se për të shpjeguar diçka me kompetencë me rëndësi parësore është të kuptohet kuptimi dhe fryma e Kur’anit dhe Sunetit dhe jo recitimi i ca teksteve për t’i manipuluar dëgjuesit e sinqert por të padijshëm apo me dije të paktë ose ata që për një arsye të caktuar (qoftë edhe drejtë ajo) janë të pakënaqur me ndonjë person të institucionit.
Kur’ani e përcakton saktë kujt i jepen sadakatë:
“Sadakatet (zeqati dhe sadakatul-fitri) ju takon vetëm të varfërve dhe të mjerëve, edhe atyre që e tubojnë, edhe atyre zemrat e të cilëve duhet përfituar, edhe për lirimin e robërve, dhe të ngarkuarve me borxhe, edhe për hirë të rrugës së Allahut, edhe udhëtarëve musafirë, si obligim nga Allahu. Kurse Allahu i di të tëra dhe është i urtë.” (Et-Tevbeh, 60).
Gjithashtu, Kur’ani qartë e përcakton kush i tubon sadakatet e detyruara: “Merre sadakë nga pasuria e tyre që t’i pastrosh me të dhe t’i bësh të bekuar, edhe lutu për ata, lutja me të vërtetë do t’i qetësojë. Ndërkaq All-llahu dëgjon dhe di shumë.” (Et-Tevbeh, 103), dhe ky urdhër nuk i jepet individit por shtetit me mekanizmat e tij, në këtë rast Bashkësisë Islame, si autoriteti i vetëm fetar, por me instrument moral e jo të forcës.
Jashtë kësaj dispozite mund të veprohet vetëm nëse nuk kemi kurrfarë organizimi fetar ose për shkaqe tjera siç ka qenë një kohë në vendet tona pas vitit 1912, kur muslimanët nuk kishin organizim fetar por mbeten jetimë.
E dimë se as namazi, as haxhi, por as zeqati e sadakatet tjera nuk mund të kryhen pa imam institucional, andaj është detyrë e jona të kërkojmë ndihmë, sepse këtë obligim fetar mund ta zbatojmë në masë të madhe edhe pa ekzistimin e mekanizmave shtetëror musliman.
Përcaktimin e prioritet të shpërndarjes së sadakatave në tetë grupe që e përcakton Kur’ani (ET-Tevbeh, 60) e bënë grupi prej disa ekspertëve fetarë në vendin ku jetohet, në këtë rast imamët me përgatitje të mirë profesionale brenda Bashkësisë islame. Mos më përmendni si ekspertë disa njerëz me çallmë hoxhe që kanë përkrahjen e So…, maf … etj etj.
Bashkësia Islame e Kosovës dhe tjerat në rajon janë të vetmit që e kanë këtë të drejtë, sikur që janë përgjegjës edhe për jetën fetare në këtë apo këto vende. Te drejtat e muslimanëve pa Bashkësi Islame as që do të mund të imagjinoheshin. Këtë nuk mund ta bëjë ndonjë shoqatë, fondacion apo vetë shteti laik. Mosekzistimi i një shoqate, pos disa individëve askujt nuk i prish punë, por mosekzistimi i Bashkësisë Islame do të ishte fillimi i fundit i Islamit në ato vende. Me Bashkësinë Islame vazhdon jeta fetare, ndërsa pa të, jeta e muslimanëve rrezikohet deri në ekzistencë.
Dikur, për 150 nxënës të Medresesë në Prishtinë pranonim ndihmë 3-4 tonelata në mishë kurbani prej Bosnjës, kurse sot, përveç që plotësohen nevojat e mbi 800 nxënësve dhe qindra studentëve të Fakultetit Islam, mishë kurbani pranojnë edhe disa dhjetëra tonelata spitalet, shoqatat e jetimëve të luftës, shoqatat e të sëmurëve të ndryshëm, skamnorët thuajse në çdo fshat e lagje. Prova më e mirë është t’i hedhim një shikim portaleve të bashkësive komunale islame dhe asaj qendrore të Kosovës gjatë Ramazanit 2019 dhe me herët.
Më e rëndësishmja, me tubimin e organizuar brenda Bashkësisë Islame afirmohet dhe fiton institucioni e jo individi apo grupi.
Të gjithë ata individë, hoxhallarë apo civilë tjerë që grabisin zeqatin dhe sadakatul-fitrin nga Bashkësia Islame bëjnë mëkat dhe janë rrënues të saj. Allahu do ta vlerësojë këtë në Ditën e Gjykimit.

Nexhat Ibrahimi
Prizren,
05. 06. 2019

You may also like