Ballina Lajme

O’Connell: Kosova pa rezultate në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell, ka qenë vazhdimisht shumë i zëshëm për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.

Ai në një intervistë në Klan Kosova ka thënë prerazi se në Kosovë nuk ka rezultat sa i përket luftimit të këtyre dy dukurive – korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Nuk ka rezultat. Ne e kemi financuar një raport për hetimin e korrupsionit në sistemin gjyqësor dhe rezultatet i kemi ilustruar me ngjyrat e semaforit – ngjyrë të kuqe, portokalli dhe të gjelbër kur gjithçka është mirë – kur e hap raportin është sikur të shohësh fotografi domatesh – vetëm ngjyrë të kuqe”.

“Në shumicën e rasteve kur dënohen njerëzit janë serbët sepse më lehtë është për sistemin të dënohen serbët për korrupsion se sa shqiptarët”.

“Ne e kuptojmë që është e vështirë pas luftës të krijohet një sistem i drejtësisë dhe e dimë që ne kemi pasë një rol, por Kosova e ka kërkuar Pavarësinë”.

“Nuk kemi rezultate hiç – nuk është se kemi rezultate të mjaftueshme, por nuk ka hiç rezultate”.

Ai e ka bërë edhe një krahasim mes sistemit të drejtësisë në Britaninë e Madhe dhe në Kosovë.

“Në Angli nëse një gjykatës dënohet për krim ose korrupsion do të dënohet rëndë sepse besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë është shumë i rëndësishëm dhe humb lehtë”.

“Nëse dikush në një pozitë që ka përgjegjësi e keqpërdorë pozitën e tij dënohet rëndë.

“Është shumë e rëndësishme që në një rast dikush të marrë dënim që mund të pengojë të tjerët ta kopjojnë metodën”.

Por, kush është fajtor – politika apo insticionet e drejtësisë?

“Janë të lidhura, ne e dimë që janë të lidhura dhe ju e dini që janë të lidhura. Politika ka përgjegjësi të shohë se a ka ligj, resurse dhe strukturë të mjaftueshme”.

“Ne bashkëpunojmë me Ministrinë e Drejtësisë dhe më vjen mirë për reformat që kanë bërë, në letër. Më vjen mirë që ka më shumë resurse në sistemin e drejtësisë dhe që disa prej boshllëqeve që kanë ekzistuar janë mbyllur”.

“Një pjesë e politikës e ka kryer punën, por kur fitojnë kriminelët nuk është mesazh i mirë për qytetarët, as për prokurorët që mund të hetojnë në të ardhmen. Kur vrasësit e fëmijëve shfajësohen prej dënimit nuk është mesazh i mirë. Kur çdo rast në gjykatë dështon për arsye të presionit nuk është mesazh i mirë për ndërkombëtarët, por është dëshpëruese për kosovarët”.

Ai ka dhënë edhe shpjegimin e tij pse ambasadorët e vendeve mike bashkëpunojnë me njerëzit brenda politikës ose institucioneve të drejtësisë që mund të kenë bërë keqpërdorime të llojit të caktuar.

“Ne duhet të bashkëpunojmë me përfaqësuesit e zgjedhur prej popullit të Kosovës. Kur njerëzit kërkojnë të mos kemi bashkëpunim me ata që janë në pushtet atëherë kjo do të thotë thirrje për mosbashkëpunim me Kosovën – nuk ka alternativë”.

“Jemi në demokraci dhe në demokraci përgjegjësia për liderët mbetet tek votuesit. Unë nuk pranoj asnjë pikë të përgjegjësisë për ata që janë të zgjedhur”.

“Çfarë për mua është shumë e rëndësishme është që nuk dëshirojmë t’i japim përkrahje askujt. Kritikat janë shumë më të zëshme këtu se sa në vendet e tjera, jo vetëm pse Kosova ka probleme, por kemi marrëdhënie specifike dhe unike me Kosovën për shkak të historisë mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës”.

You may also like