Ballina Fokus Lajme

Në të gjitha xhamitë e Kosovës bëhet lutje për viktimat në Zelandën e Re

Në të gjitha xhamitë e Kosovës, sot me rekomandim të BIRK-ut, u bë thirrje për paqe e tolerancë ndërmjet njerëzish. Kjo erdhi si shkak i sulmit terrorist të një jave më herët në Zelandën e Re, në të cilin mbetën të vdekur 50 besimtarë myslimanë të cilët ishin duke kryer ritin e faljes së namazit të xhumasë.

“Javën që lamë pas (15 mars 2019), pikërisht në kohë të namazit të xhumasë, në Zelandën e Re, u sulmuan dy xhami ku ngelën të vdekur 50 besimtarë myslimanë dhe shumë të tjerë të plagosur. Një terrorist, i indoktrinuar, ofroi para botës mbarë shembullin e atij që është pushtuar nga urrejtja dhe është zhveshur nga arsyeja aq shumë saqë nuk kurseu as atë që e priti me paqe në derë të xhamisë dhe as fëmijën që vrapoi në drejtim të tij duke mos e menduar kurrë si vrasës. Ai vrau pesëdhjetë, por jo edhe kauzën e tyre. Janë për t’u lëvduar reagimet e popullit dhe qeverisë së Zelandës së Re, që dënuan ashpër veprën makabre të atij monstrumi dhe terroristi famëkeq. Konsiderojmë se kjo është hakmarrja më e madhe ndaj tij. Terroristi fizikisht është gjallë, por me kauzë të vdekur, ndërsa ata pesëdhjetë besimtarë, fizikisht janë ndarë prej nesh, por kauza e tyre rron. Së këndejmi, çfarëdo reagimi i dhunshëm karshi këtij akti terrorist është gabim. Zëri i terrorit u mbyt nga reagimet dhe lotët e miliona njerëzve anembanë botës”.

“Islami, vështruar nga të gjitha anët, është paqe. Emri i tij nënkupton paqen, përshëndetja e tij reflekton paqen, mësimet e tij promovojnë paqen, Krijuesi është quajtur edhe me emër paqeje (Selam), xhenneti, vendi i shpërblimit, po kështu. Siç mësuam më lart, mëshira është kryefjalë dhe sinonim i misionit islam. Nxjerrja e fesë jashtë këtyre parametrave nënkupton nxjerrje prej natyrës dhe misionit të saj. Karakteristikë e mësimeve islame është përputhja e plotë me natyrshmërinë njerëzore. Duke e adhuruar vetëm Allahun, ne, në të vërtetë, rikthejmë dinjitetin e vjedhur nga ata që robërojnë shpirtrat dhe mendjet e njerëzve, nga ata që fenë e shndërrojnë në mjet për të përfituar e ushtruar pushtet. Paqja dhe toleranca nuk janë dobësi. Ato thjesht promovojnë shpirtin e madh dhe frymën humane të kësaj feje. Qasja jonë karshi së keqes dhe luftimi i saj duhet të jetë me paqe, mu ashtu siç na mëson Kurani për robërit e dalluar të Zotit”, u tha ndër të tjerash në mesazhin e xhumasë.

Krejt në fund u bë edhe lutje për viktimat e këtij sulmi terrorist në Zelandë të Re.

Për fund, le të shfrytëzojmë momentet e kësaj dite të madhe për ta lutur Allahun për të gjithë ata që ishin viktima të këtij akti terrorist.

O Allahu ynë,   

Robërit e Tu iu përgjigjën thirrjes Sate për ta përmbushur detyrimin, erdhën në shtëpitë e Tua për të shprehur përulësinë e tyre para Teje, andaj fali dhe mëshiroji të vrarët duke ua bërë Xhennetin vendbanim të tyre, të lënduarit shëroji dhe jepu shëndet, kurse familjarëve të tyre jepu forcë dhe durim për ta përballuar këtë fatkeqësi!

O Allahu ynë,

Ne begato me siguri dhe paqe, na ruaj nga ata që duan të bëjnë fesat, nga ata që nuk kursejnë as të pafajshmit, as fëmijët e madje as shtëpitë e Tua! Mos lejo që zëri i tyre frikësues të dominojë mbi zërin tonë paqësor, mbi lutjet tona, mbi jehonën paqësore të Fjalës Sate!

O Allah ynë,

Ruaje vendin dhe popullin tonë nga çfarëdo e keqe, nga çfarëdo e lige që dashakëqijtë e mendojnë për ne. Bëna prej robërve të Tu të sinqertë e të përkushtuar, të cilët janë të mëshiruar me mësimet e Librit Tënd, me mësimet e të Dërguarit Tënd, bëna prej atyre që “…kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: Paqe qoftë!

You may also like