Ballina Lajme

Ndalimi i zyrtarëve serbë nga BIA, Kosova paralajmëron sanksione për Serbinë

Dje, këshilltari për Komunitete i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Srdjan Jovanoviq, njëherësh anëtar i Partisë Liberale Serbe të Kosovës, është ndaluar nga Policia e Serbisë te vendkalimi kufitar “Dheu i Bardhë”.

Në lidhje me këtë çështje, pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Haradinaj ka thënë se për serbët që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë po bëhet presion i vazhdueshëm nga Serbia, raporton lajmi.net.

Ai ka paralajmëruar kundërmasë nga Qeveria e Kosovës duke përfshirë edhe ndalimin e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë.

Sipas tij, një vendim i tillë nuk është ndërmarrë ende mirëpo kjo do të merret nëse vazhdojnë këto veprime të Beogradit.

Kujtojmë, se Shërbimi i Inteligjencës Serbe (BIA), për një periudhë më të shkurtër se njëvjeçare ka ndaluar dhe ka intervistuar shtatë zyrtarë të institucioneve të Kosovës, kryesisht përfaqësues të Partisë Liberale Serbe të deputetit Sllobodan Petroviq.

Policia e Serbisë kishte ndaluar edhe Boban Stankoviqin, zëvendësministrin e Kulturës së Kosovës, Nebojsha Jakovljeviqin, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale të Kosovës, Srecko Spasiqin, ish-kryetarin e Komunës së Kllokotit dhe dy pjesëtarët serbë të Ushtrisë së Kosovës, Alen dhe Anel Ujkanoviq.

You may also like