Kulturë

Myslimanët ruajnë Kur’anin e punuar me dorë si pasurinë më të madhe në shtet

Myslimanët në Bullgari ruajnë Kur’anin e punuar me dorë si pasurinë më të madhe.

Kur’ani i shkruar me dorë që i përket shekullit 14 dhe që ndryshe njihet si “Libri i artë” për shkak se në shkrimin e tij është përdorur bojë ari i cili ndodhet në bibliotekën e xhamisë në fshatin Çepintzi në rajonin Smolyan të Bullgarisë në kufi me Greqinë vlerësohet si pasuria më e madhe e këtij fshati.

Ky fshat musliman me 3 mijë e600 banorë rrëzë maleve Rodop, e ruan si sytë e ballit Kur’anin që i përket shek.14 dhe në të cilin fjalët “Allah” janë të shkruar me bojë ari.

Kryeplaku i fshatit, Hayri Brahimbashev, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), përcjellë Klan Kosova thotë se kjo vepër e mbetur që nga periudha Osmane është pasuria më e madhe e fshatit.

Brahimbashev tha se në bibliotekën e xhamisë ka dorëshkrime shumë me vlerë, ku më i rëndësishmi prej tyre është Kur’ani i shkruar me dorë të cilin e cilësojnë si “Libri i artë”.

“Ky libër unik që ne përpiqemi ta mbrojmë si sytë tanë, ne si muslimanë dëshirojmë që të trashëgohet dhe të jetë amanet i fëmijëve tanë”, tha Brahimbashev.

Pasi ka vënë theksin se çdo fjalë “Allah” në Kur’an dhe zbukurimet e faqeve janë bërë me bojë ari, Brahimbashev tha se “në bibliotekën e xhamisë gjithashtu ka 400 libra të shkruara me dorë dhe mbi 800 libra të filozofisë, astronomisë, fikh-ut (jurisprudencë islame), oratorisë dhe historisë”

“U jemi mirënjohës të parëve tanë që u kanë lënë brezave të ardhshëm vepra të tilla të rëndësishme të cilat kanë arritur t’i ruajnë edhe gjatë periudhës komuniste që ndalonte fenë në Bullgari. Në bibliotekën tonë ka shumë libra fetarë të vlefshëm që janë 200-300 vjeçarë. Ndërsa Kur’ani i artë, i cili është restauruar me përpjekjet e ekspertëve, është pasuria jonë më e madhe”, tha Brahimbashev.

Ndër të tjera Brahimbaşev ka shpjeguar se të gjitha veprat në bibliotekë janë dhuruar plotësisht nga popullata e rajonit pas përfundimit të ndërtimit të xhamisë në vitin 1999 dhe se në mesin e librave që ruhen me kujdes ndodhet edhe një Kur’an me kopertinë të mbuluar me lëkurë dreri të cilin nuk kanë mundur ta përcaktojnë se cilët viteve i përket.

Duke shtuar se popullsia e fshatit Çepintzi shtohet çdo ditë e më shumë derisa shumë banorë të fshatrave në Bullgari emigrojnë nëpër qytete, Brahimbaşev tha se “Ne jemi njerëz që jemi mbërthyer ngushtë me fenë, me tokën tonë. Ne u kushtojmë rëndësi gjërave tona të shenjta dhe i mbështesim ato me punën tonë”.

“Islami, feja e vetme që nuk devijon nga thelbi i saj”.

Hyseyin Madanski, një nga banorët e fshatit që ka punuar në të kaluarën në minierat e fshatit ka theksuar se zhvillimi i qëndrueshëm i fshatit, popullsia e të cilit rritet gjithnjë e më shumë është për shkak të lidhjes së tij me fenë.

“Unë kam parë të gjitha bekimet e jetës sime nëpërmjet besimit tim. Islami është feja e vetme që nuk ka devijuar nga thelbi i saj”, tha Madanski i cili ndërton faltore, çezma dhe ura krahas shtëpisë së tij që e ka ndërtuar me pëpjekjet e tij dhe të miqve.

Ai thotë se dëshira e tij më e madhe është të shkojë në haxh. “Vazhdimësia e fesë sonë është obligim i çdo muslimani. Sepse kjo fe nuk të mëson të keqen”, tha Madanski.

Ndërsa edhe Raif Kutzev që ka marrë pjesë në ndërtimin e xhamisë ka bërë të ditur se “kjo xhami do të qëndrojë në këmbë edhe në të ardhmen dhe se me respektin e popullit të fshatit për të kaluarën ajo do të jetë simboli i shpresës për të ardhmen”.

Po ashtu edhe Halil Merin i cili në fshat ka ardhur si dhëndërr nga Qiproja tha se “qetësia në fshat rrjedh nga përkushtimi i njërës ndaj feve dhe traditave. “Si një i huaj ata më kanë pranuar si vëlla edhe mua. Jam shumë i lumtur këtu”, thotë Merin.

You may also like