Tech & Auto

Myftiu i Egjiptit thotë se blerja e Like-ve në Facebook është e ndaluar

Myftiu i Egjiptit, Shawki Allam, ka lëshuar një këshillë fetare që ndalon blerjen e Like-ve në Facebook, duke e deklaruar se kjo është në kundërshtim me ligjin Islam.

Vendimi i Myftiut u botua në faqen e Facebookut të Dar Al-Ifta Al-Misriyyah, një institucion përgjegjës për lëshimin e dekreteve fetare. Ai e dënoi praktikën si mashtruese, duke përmendur se Profeti Muhamed thotë se “Ai që mashtron nuk është prej neve [myslimanëve]” për të arsyetuar vendimin e tij.

Këshilla në mënyrë specifike dënoi blerjen e pëlqimeve në Facebook për të ndërtuar ndjekësit të cilët nuk reflektojnë realitetin. Deklarata e tij shpjegon se “Nëse pëlqimet janë të rreme, ose të gjeneruara në mënyrë elektronike dhe nuk i ngjajnë individëve të vërtetë, atëherë kjo konsiderohet e palejueshme duke qenë se kjo është një formë mashtrimi”, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, Myftiu theksoi se vendimi nuk ndalon promovimin e përmbajtjes.

“Reklamimi i përmbajtjes sipas ligjit Islam [Sheriati] është i lejuar për aq kohë deri sa promovohet një llogari, një produkt, një faqe ose një artikull në mënyrë që përmbajtja të arrijë një numër të caktuar përdoruesish të synuar në këmbim të parave”, thuhet në vendim.

Kjo nuk është hera e parë që Myftiu ka folur për këto aspekte. Kohë më parë, Allam lëshoi një këshillë fetare duke deklaruar se blerja dhe shitja e Bitcoin dhe kriptovalutave është e ndaluar sipas ligjit Islam.

You may also like