Kulturë

Miqësia e muslimanit dhe të krishterit në Gaza

Miqësia mes muslimanit Hatim Haris dhe të krishterit Kemal Terzi të cilët jetojnë në Gaza, nën rrethimin e Izraelit, pasqyron njërin prej shembujve më të bukur të bashkëjetesës në tolerancë në mes feve dhe kulturave të ndryshme.

Palestinezi i krishterë Terzi (56) në 6 vite të fundit po ndihmon mikun e tij musliman të verbër, Harisin (47) në punët e tij të përditshme, si dhe e shoqëron atë për të shkuar në xhami për namaz. Miqësia e këtyre dy burrave në Gaza, ku njerëzit nga të dy fetë e ndryshme po jetojnë në tolerancë, nuk po i habit të tjerët.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Terzi tha se në Palestinë muslimanët dhe të krishterët që nga e kaluara e deri më tani jetojnë së bashku, duke shtuar se miqësia e tij me Harisin është mjaft e natyrshme.

Ai tregon se është njohur me Harisin 15 vite më parë, duke shtuar se miku i tij musliman më parë kishte një farmaci dhe se nga ai blente barna. Ai tha se gjatë viteve kanë formuar një lidhje të fuqishme miqësore.

Terzi thotë se Harisi kishte humbur aftësinë e shikimit pas një aksidenti që kishte ndodhur gjatë përgatitjes së një recete.

“Ky aksident për fat të keq u bë një pikë kthese në jetën e Harisit. Miku im ishte mësuar që para se të humb aftësinë e shikimit të falë namazet e tij në xhami. Dhe unë vendosa që ta ndihmoj atë. E shoqëroj atë për të shkuar në xhami. Kur ai hyn në xhami unë e pres jashtë. Kur e përfundon namazin së bashku kthehemi në shtëpi”, thotë ai.

Duke u shprehur se së bashku me Harisin shkojnë edhe në çarshi dhe në shëtitje, Terzi thotë se nganjëherë mikut të tij iu lexon edhe lajme nga gazeta apo uebfaqet.

– “Të gjithë kemi luftuar për Kudsin”

Terzi thotë se muslimanët dhe të krishterët në Gaza jetojnë në kuadër të respektit dhe të tolerancës. “Fetë nuk janë pengesë përpara nesh. Jetojmë së bashku, kushtet dhe armikun e kemi të njëjtë. Këto dy komunitete kanë lidhje të gjakut dhe të atdheut si dhe lidhje të fuqishme që vjen nga historia. Të gjithë luftuam për Kudsin. Gjatë gjithë jetës sonë jetuam së bashku dhe e respektuam njëri-tjetrin”, tha ai.

Edhe muslimani Haris tha se me Terzi-un janë njoftuar para 15 vitesh dhe se gjatë këtyre viteve kanë formuar një lidhje miqësore që vazhdon duke u forcuar.

“Kur para 6 vitesh e humba aftësinë e shikimit, shqetësohesha për atë që nuk do të mund të shkoj në xhami për namaz, dhe se nuk do të arrij të shëtis nëpër rrugë. Mirëpo miku im Terzi gjithmonë më shoqëroi. Nuk u ndamë as për një ditë. Miku im më ndihmon gjithmonë. Po bisedojmë, po bëjmë shaka”, tha Haris.

Duke u shprehur se miqësia e tyre është forcuar pasi që ai ka parë cilësi të shumta pozitive të Terzi-ut, Haris thotë se “Parimet e mia në jetë janë: dialogu, pajtimi, bashkëjetesa, dashuria dhe paqja. Komuniteti i krishterë është një pjesë e popullit palestinez”.

Të krishterët në rripin e Gazës gjatë viteve të fundit emigruan jashtë shtetit për shkak të rrethimit dhe sulmeve në rajon të Izraelit. Në Rripin e Gazës me popullsi prej rreth 2 milionë banorë jetojnë 1 mijë të krishterë.

You may also like