Ballina Lajme

Ministri Gashi: Do të na mungojë kreativiteti i Bekimit

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Lumi pas ndarjes nga jeta të regjisorit Bekim Lumi, në të cilën thekson se bota e artit shqiptar dhe jo vetëm, e ka humbur një prej pedagogëve dhe regjisorëve më të talentuar.

“Lajmin për vdekjen e parakohshme e të dashurit tuaj, Bekimit, profesorit e regjisorit tonë të madh e të zellshëm, e morëm me pikëllim të madh. Pas një lufte më shumë se dy vjeçare me një sëmundje të rëndë, bota e artit shqiptar dhe jo vetëm, e ka humbur një prej pedagogëve dhe regjisorëve më të talentuar”, thuhet në telegram.

“Regjisori Bekim Lumi, i cili me shfaqjet e tij të shumta e që karakterizoheshin me aspektin minimalist dhe eksperimental, e ka përfaqësuar vendin tonë në shumë festivale teatrore brenda dhe jashtë Kosovës, duke e prezantuar suksesshëm artin teatror ku u nderua edhe me çmime të shumta. Skenës teatrore të vendit tonë do t’i mungojë zelli dhe kreativiteti i Bekimit dhe për kulturën shqiptare ndarja e parakohshme e tij nga jeta nga beteja me sëmundjen, është një humbje e madhe. Angazhimi dhe suksesi i tij për familjen duhet të jenë krenari dhe jo dhimbje kurse për ne, shokët, kolegët dhe artdashësit duhet të jetë nxitje dhe frymëzim. Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Bekim Lumit”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

You may also like