Ballina Fokus Lajme

Mbahet Akademi Përkujtimore për profesor Qemajl Morinën (Video)

Organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, sot në ambientetet e Fakultetit të Studimeve Islame, u mbajt një Akademi Përkujtimore me rastin e vdekjes së profesorit Qemajl Morina.

Në këtë akademi, përpos familjarëve, mysafirëve të shumtë, morën pjesë edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, prof. Fahrush Rexhepi, drejtori i Institutit Albanologjik, dr. Hysen Matoshi, profesorë, hoxhallarë.

Në fjalën e tij, Myftiu Tërnava, çmoi lart punën dhe veprimtarinë e profesorit Qemajl Morinës.

“Për profesor Qemajlin do të flitet e do të shkruhet gjatë, shumë gjatë, nëpër katedra, konferenca e simpoziume, nëpër revista shkencore e monografi të veçanta, sepse trashëgimia dhe veprimtaria e bollshme që na e la profesor Qemajli si pedagog, shkencëtar dhe, përgjithësisht, si individ i dalluar i shoqërisë sonë, do të mbetet e përhershme”, tha ndër të tjerash myftiu Tërnava.

Duke kujtuar veprat e shkruara dhe numrin e madh të studimeve të profesor Qemajlit, Myftiu Tërnava u shpreh se: “Profesor Qemajli është autor i një numri të madh studimesh që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe historinë tonë, me theks të veçantë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për të cilën Profesori për herë të parë ka botuar studimin e tij në Konferencën për 100 vjetorin e kësaj ngjarjeje të vitit 1978, kurse gjatë viteve të studimeve pikërisht për Lidhjen e Prizrenit ka hulumtuar në Arkivat e Kajros ku na ka lënë si trashëgim veprën e rëndësishme dhe me vlerë “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian”. E kësaj natyre dhe e kësaj rëndësie është edhe monografia për ndriçimin e figurës fetare dhe kombëtare të Hoxhë Kadri Prishtinës dhe mendimet e tij në revistën “Udha e së vërtetës”.

Një fjalë rasti në këtë akademi mbajti edhe dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, dr. Fahrush Rexhepi i cili shprehu dhimbjen e thellë për vdekjen e profesor Morinës:

“Ndarja nga jeta e profesor Qemajlit është ngjarje e dhimbshme sepse largimi i tij do të krijojë boshllëk të madh jo vetëm në familje por, edhe në rrethet intelektuale e fetare pasi ai ishte një studiues dhe pedagog i rrallë i fushës së studimeve islame,” tha dr. Rexhepi.

Ai foli edhe rreth punës dhe kontributit të prof. Morinës në Fakultetin e Studimeve Islame në veçanti dhe në përgjithësi në Bashkësinë Islame të Kosovës.

“Profesor Qemajl Morina përveç  punës dhe kontributit të tij në BIK, ai për një kohë (1991-1992) ka punuar  mësimdhënës i lëndës gjuhë arabe në degën e orientalistikës në Fakultetin Filologjik. Është ndër themeluesit e FSI-së duke qenë anëtarë i këshillit themeltarë për hapjen e FSI-së në vitin 1992. Profesor Qemajl Morina ishte edhe ligjërues i lëndës gjuhë arabe në periudhën nga viti 1992 e deri në pensionim më 2015. Krahas ligjërimit, profesor Qemajli e ka kryer edhe detyrën e prodekanit të FSI-së që nga fillimi i vitit 1992 e deri më 2011, kurse në vitin akademik 2011-2012 ishte edhe ushtrues i detyrës së dekanit.”

Në emër të familjes këtë akademi e përshëndeti djali i prof. Qemajl Morinës, Fuadi, i cili tha se është nder për ne si familje të dëgjojmë këto fjalë vlerësuese për babanë dhe familjarin tonë, ndaj kjo na bënë krenarë që të vazhdojmë edhe më tej rrugën që e kishte profesor Qemajli.

 

 

 

 

 

 

 

You may also like