OP/ED

Masakra e Tivarit në kujtesën e disa prej atyre që e përjetuan

Dr. Nuridin Ahmeti

Prilli muaji i masakrës së Tivarit 1945

Pa mëdyshje, njëra nga ngjarjet më tragjike në historinë e popullit shqiptar është edhe Masakra e Tivarit. Tragjike këtë masakër e bën edhe fakti se për këtë ngjarje me pasoja për popullin tonë, në veçanti për ata që morën pjesë si të viktimizuar, e që ishin me mijëra, nuk u guxua të shkruhej për një kohë të gjatë, si nga pushtetarët vendas të kohës, ashtu edhe nga të tjerët. Madje dikush, posaçërisht ata që kishin inskenuar këtë tragjedi, sikur deshi të humbë çdo gjurmë të kësaj masakre. Ç’është e drejta, edhe njerëzit e penës, por edhe vetë ata që kishin marrë pjesë si viktima të saj, deri në vitin 1990, sikur e shuan këtë ngjarje. Ndoshta, për shkak të rrethanave në të cilat ndodhej populli shqiptar i Kosovës pas vitit 1945, posaçërisht pas kësaj masakre, nuk ishte e favorshme të diskutohej e të shtrohej kjo çështje.

Po sot çfarë na ndalon të mos e trajtojmë këtë ngjarje të rëndësishme për popullin shqiptar?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, po jap vetëm një argument, i cili, për mendim timin, e bën edhe më tragjike këtë masakër. Në tekstet shkollore të historisë në Kosovë nuk përmendet gjëkundi kjo ngjare. Për të qenë edhe më i saktë, në mënyrë të veçantë kam konsultuar tekstin shkollor të historisë së klasës së 9-të, në të cilin kapitulli i shtatë i tij, ndonëse mban titullin ”Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore”, fatkeqësisht nuk bën fjalë fare për këtë tragjedi.

Prandaj, gjithsesi, na mbetet neve barra që me hulumtimet e studimet e thella shkencore të korrigjojmë këto lëshime jo të vogla në historinë shqiptare, për të zbardhur një herë e mirë këtë masakër që i përket historisë së re shqiptare.

Si ndodhi Masakra e Tivarit?

Masakra e Tivarit është një nga ngjarjet më tragjike të cilën e kanë përjetuar të rekrutuarit shqiptarë nga Kosova në përfundim të Luftës së Dytë Botërore në Tivar të Malit të Zi. Saktësisht, ngjarja ka ndodhur rrugës për në Tivar. Sipas burimeve të ndryshme, numri i të vrarëve në këtë masakër sillet nga 1700 – 4300.

Kur nazistët po tërhiqeshin nga territori i ish-Jugosllavisë, u krijuan fronte në Srem të Vojvodinës dhe në Adriatik, në veriperëndim të ish-Jugosllavisë. E ndërkohë që shqiptarët po rekrutoheshin për të luftuar në këto fronte, nga ana tjetër, brigadat serbe po i forconin pozitat e tyre në territorin e Kosovës. Gjithsej, 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset e tjera etnike shqiptare u rekrutuan e u dërguan në luftime larg Kosovës për të zvogëluar rrezikun e çfarëdo rezistence ndaj autoritetit serbo-jugosllav, që do të vendosej në Kosovë. Shtabi operativ i “Kosmetit”, i urdhëruar nga SHS-ja e UNÇJ-së, me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill 1945, mobilizoi me dhunë shqiptarët për t´i dërguar në frontin e dytë të “Adriatikut”, në veriperëndim të ish-Jugosllavisë. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për t’i dërguar shqiptarët në pjesët veriperëndimore të ish-Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar-Dubrovnik-Rjekë. Për këtë front u mobilizuan shqiptarë nga Vushtrria, Besiana (Podujeva), Prishtina, Kaçaniku, Ferizaji, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Theranda (Suhareka), Burimi (Istogu), Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni etj.

Pikëtakim i këtyre ushtarëve u caktua Prizreni. Deri këtu ata u drejtuan nga oficerë shqiptarë. Në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarë u çarmatosen me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga e gjatë, por kur të mbërrinin në front iu tha se do të pajiseshin me armë moderne angleze. Nga Prizreni, të ndarë në tri grupe, shqiptarët u nisën fillimisht për në Mal të Zi. Grupi i parë prej 3,700 vetash u nis më 24 Mars 1945. Grupi i dytë prej 4,700 vetash u nis më 26 Mars dhe marshoi për katër ditë në vijën Prizren-Zhur-Kukës-Puk-Shkodër-Tivar. Gjatë rrugës ushtarët u rrahën e në disa raste edhe u vranë, sidomos kur dilnin nga kolona për të shuar etjen ndokund.

Kur kolona mbërriti në Tivar, ndodhi një konflikt në mes katër shqiptarëve dhe rojave, të cilët shtinë dhe vranë dy shqiptarë. Masa e zënë në grackë mes maleve të larta dhe detit u shtri përtokë, ndërkohë që ajo hapësirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozave të vendosur në çdo qoshe të rrugëve, në dritare e në tarraca të shtëpive, në shkëmbinj e në kodra përreth. Më pas turma urdhërohet të ngrihet e të drejtohet drejt ndërtesës “Monopoli i duhanit”, ku filluan të shtënat. Një pjesë do të arrijë të shpëtojë për të vazhduar pastaj pas tri ditësh drejt Torogirit të Kroacisë. Kjo nisje e të mbijetuarve, sipas Muhamet Pirrakut, do të bëhet pas 12 ditësh.

Duke qenë se pikënisje u caktua Prizreni, edhe Opoja, si pjesë e regjionit të Prizrenit, nuk kishte mundësi  se si të shpëtonte nga kjo tragjedi. Opoja historikisht ka qenë e lidhur me Prizrenin dhe pothuajse të gjitha ndodhitë e Prizrenit, qoftë në aspektin politik, ekonomik, social apo ushtarak, janë reflektuar edhe në Opojë. Me një ndikim të tillë për banorët e kësaj treve qe edhe Masakra e Tivarit. Por, edhe pse nuk kam mundur t’i mbështes kërkimet e mia në ndonjë dokument të shkruar, që do të fliste më saktësisht për pjesëmarrësit apo të vrarët e regjionit të Opojës në Masakrën e Tivarit, jam munduar që t’i identifikoj dhe të bashkëbisedoj me disa pjesëmarrës që e kanë përjetuar këtë tragjedi. Sikur mund të vetëkuptohet, një pjesë e tyre nuk jetojnë më, ndërsa një pjesë tjetër, ndonëse ende janë në mesin tonë, për fat të keq ngurronin të flisnin. Sidoqoftë, me gjithë mungesën e dokumenteve, jam nisur sipas parimit: “ajo që nuk mund të bëhet e tëra nuk duhet të lihet e tëra”. Andaj, e kam parë të arsyeshme që nëpërmjet rrëfimeve të gjalla të tyre të mund të nxjerr ato kujtime që do të zbardhnin sadopak çështje që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.

Masakra e Tivarit

Bazuar në burimet e autorëve që kanë bërë fjalë për këtë ngjarje, Shtabi i 46-të i Divizionit të Serbisë i rrethinës së Prizrenit ka vrarë në Opojë 23 shqiptarë dhe ka mobilizuar 240 të tjerë,  por ka edhe nga ata që thonë se gjatë kësaj periudhe në Dragash janë vrarë 500 veta.

Mirëpo, duke shfletuar literaturë të ndryshme dhe duke mbledhur të dhëna direkt nga terreni, unë dyshoj se numri i banorëve nga Dragashi që u mobilizuan dhe u nisën për në Tivar sillej rreth 500 veta, sepse jo vetëm nga Opoja, por ishte edhe një numër i konsiderueshëm i banorëve nga Gora që morën pjesë në këtë ngjarje. Këtë gjë e pohon edhe Muhamet Pirraku, sipas të cilit goranët kishin arritur të shpëtonin nga kjo plojë vetëm në saje të mundësisë së tyre për të komunikuar sllavisht (gorançe – N. A.).  Këtë të dhënë na vërteton edhe Ramiz Qusaj, njëri prej pjesëmarrësve në Masakrën e Tivarit, i cili pohon se megjithatë kishte edhe prej goranëve që mbetën të vrarë në këtë tragjedi.

Halim Krasniqi, që në atë kohë ishte vetëm 16 vjeç, kurse tani imam i fshatit Brezne, kujton kur njerëzit nga rajoni i Dragashit i kanë tubuar te Hani, vend ky në hyrje të fshatit Brezne. Ai thotë:

”Honi u kon i mushot me milet. M’kujtohet kur erdhon n’katundin ton ushtria e i morron plot djem t’ri xhi ishin t’fuqishom por me lifte. Neve na than xhi pi çojn me liftue kundra Hitlerit. Masanej do u kthyon e do s’u kthyen hiç mo. Katundi ju çitke buk me ju dhon, dikush ju çitke buk e dikush çarapa me vesh, çysh kishin, se o kon mospasje e madhe”.

Por, njëri nga pjesëmarrësit në këtë masakër është edhe Ramiz Qusaj, i cili ende jeton dhe ka një kujtesë  të kthjellët. Në bisedën tonë, ai mes tjerash kujton:  

Une n’at vakot jom kon hyzmeçar n’ Smaç t’Podrimos te Iljaz Shehi i Prizrenit. Kur hini Partia Komuniste n’Prizren, mas do dite erdhon n’Smaç me e lyp Nikoll Tunin e Smaçit, se ish kon ballist, por at dit sun e morron se na e fshehom n’bar…, mas tri dite komunistat erdhon apet te shpija e Nikoll Tunit me ni sabah edhe na rrethuen kret neve, erdhon te na edhe mu m’i lypon dokumentat, kur jau dhash, m’than: “A ti je i Pllajnikit, ju na keni vra mashkllin ma t’mir, e kishte fjalon por Latiif Kolon e Shipnis, se u kon komunist e e paton vra ballistat te Cyleni, pormi Xërxe…, m’i lidhon duort me ni sixhim e n’Prizren te stanica e xhandarmaris. Aty kemi prit ja dy jav, her na ipshin me honger e her jo. Mas dy jave ka ardh ni far Gafurr Alushi, ai i dau do pleç xhi s’muntshin me ec edhe neve na çuen te ushtria moçme e serbit n’Prizren, na i dhan do buk edhe do konzerva edhe na nison por Shipni, u kon  februari-marti i 1945, jemi kon plot milet, ma shum se 2000 vet, na as pe dim ku po na çojn hiç, to hec na, edhe ni muzik po na bon rrank, rrank, rrank. Kur kemi dal te KARABASH EFENIA (vend në dalje të Prizrenit – N. A.), ni nior ka vikat pi kolonos: “Ej vllazni, vinja mendon çesaj muzikos, se kjo po thot: vorr, vorr, vorr”. Kush o kon ai, une s’e di. Xhi po hecim udhos n’te dy onot t’rrethuom me milici edhe na thojshin serbisht: “mos gzoni me dal prej kolonos se ju vrasim meniher”. Pi aty e na çuon n’Vermic. Kur mrrim n’Vermic, dy djem tri t’Kabashit shkuon me pi uj aty ngat, po meniher i vran edhe i lan me krye n’uj. Prej aty na shkuom n’Kuks. Kur mrrim n’Kuks, u bo akshomi edhe na shtin nermjet dy trinave. To nejt aty, kur krisi ni bombe. Aty u bo hallakame, edhe u vran do, s’dishim ka po vin plumat e kush po kris. Atu kemi nejt dy dit. Mas dy dite ka ardh milicia e Enver Hoxhos, se kjo milicia xhi na porcillke neve lypi nim pre milicis E. Hoxhos. Kur erdhon ata, na tham: “He lum e shyqyr xhi to t’na kapin shiptarot nepor duor”. Kur erdhon ata e t’zun me na vikat, to na thon: “Ju kosovarot lypni hjek kokon”. Na thojshin milicia E. Hoxhos: “Ju kosovarot me Xhafer Devon ju keni nimu gjermonve me na myt neve”. Ata ishin kon ma t’zi se kta.

Pi Kuksit kemi shkue n’Puk e prej Pukos n’Shkodor. I kemi bo ja kator-pes dit udh deri n’Shkodor. Dilshin plot xhin na kqyrshin, s’mundshin m’u avit ngat se plot milic mdy onot. Kur mrrim n’Shkodor, na çuon te kalaja e Shkodros. Aty kemi nejt ja dy dit, tri dit. Buk s’kishna. Edhe aty u bo ni hallakame, krisi dikush, masanej milicia i muorr ja tet veta pi nesh, i çiti para nesh dhe i pushkatoj. Aty bile i pushkatum ka met e dhe ni pllavion, po mdokot xhi e ka pas emnin Sherif Tershnjku. Pi aty na kan hyp me do anije te Liqeni Shkodros e na kan çit n’Mal  t’Zi. Pi Shkodros deri n’Mal  t’Zi i kemi bo ja dy dit. Kur kemi mrri n’Mal  t’Zi te ni kodor e madhe, kur kqyrom atje posht, po na dokot jeshil ni vend si fush, kur zhdrypom atje posht e pam xhi i shkon deti e s’ish kon fush. Aty na shtin me ni monopol t’duhonit, u hunxhom e po presim, jemi kon ja 10 opojas dhe do goron, na jemi kon bashk, kater goron jon vra, dy kukajonas edhe dy t’Backos. Kur to rrit aty, erdh ni m’cus Malazez, i kish pas nxhoft goront, se ish kon m’cus n’Kerstec n’kohën e Kral Aleksandrit, e i nxhike goront. Ai e kish pas dit xhi to t’bohet me neve, po s’na kallxojke. Na muor neve edhe na çoj me ni ullishte, kur sa u unxhom, kur pi nim krismat, ushtima ju shkojke njrzve, s’po dim xhi po bohet, na menojshna xhi ju kan ra ballistat komunistave me na shpetue neve, kjo ushtim e madhe ka zgat gati ni sahat, veç n’at moment kur ka ardh ni malazez, to na shajt serbisht, masanej erdhon edhe do ushtar, edhe bojshin llafe nermejt veti e thojshin xhi neve me na çue me ni vend çetor, te deti me na masakrue me ni skele çetor, se aty jon bo shum xhenaze edhe shum xhak e ma mir me i çue çetor ku. Une e dishom serbishton, e mirrshom vesh kret xhi po folin. Aty na morron to na sha e kur dolom prej asaj ullishtos, xhi me pa, plot xhenaze. Na xhi po hecim, po hecim kapormi xhenaze. Xhi shkilshna n’tok, xhaki na vike deri te koci komos. Ata xhi kishin met t’plagosot, veç vikitshin: ”o, a ka dikush ujë me na dhon bre”. Çai xhi vikatke, edhe çato xhi e shishin t’xhall xhi ka met n’at hallakame, malazezt i shkojshin me sakic edhe ju thojshin: ”a po doni uj, qe ujin”, ju bishin n’krye me sakic edhe i lishin n’vend. Kur shkoum rreth detit, xhi me pa, ish bo deti me kapuça t’bardh, u dokshin sikur plluma t’bardh, ish mush deti kapuça t’bardh, shoka e xhak. Neve na morron e na shtin me ni si hotel rreth detit. To hi n’hotel, ni grue malazeze na thojke serbisht: “A hala paskan met shqiptar me e hongor bukon e malazezit a?” Kur kemi dal me kqyr por penxhere t’hotelit, kishin dal populli me kerr t’kjalve, t’kive, t’lopve. I mirrshin xhenazot e si t’ja nxhitshin por krye e por kome e çitshin n’zall sikur xhon, e n’zall i mlojshin edhe i lishin. Aty nejtom ni nat e nesor erdh ni anije e madhe prej Dubrovnikit, na shtin n’anije e na çuon n’Dobrovnik. Kur mrrim atje, na shtin me ni shtall, aty ishin kon ja 120 shiptar, e neve, mas ja xhys ore aty, na n’drruon vendin. Aty, çat nat, i helmuon 120 shiptar, neve na i dhan do maska, por mi hek xhenazet, e masanej na thojshin: “se jon helmue vet, se e kan çel ni kuti e se kan dit xhi osht”.

Pi aty na çuon n’Trogir. Afor Splitit kemi nejt 7 dit. Mas 7 dite, na erdh ni komandant, na pru arm edhe veshmathje edhe na tha serbisht: “ka nodh xhi ka nodh, ajo ka shkue, na nesor kemi luft me Hitlerin edhe na duhet m’u nis nesor”. Pi aty, kemi shkue n’Shibenik e prej Shibenikit kemi shkue n’Knin to liftue. Çaty te kalaja Kninit kemi liftue ja 6-7 dit, masanej kemi shkue to liftue n’Rijek, Sushak, Poçane t’Sllovenis, Ister, e shkuem ngat Pules. Manej u kthyem nepor shpi tona, se na than vendi u çlirue ”.   

Përfundim

Bazuar në literaturën e shfletuar dhe në të dhënat nga terreni që flasin për këtë ngjarje, mund të konstatoj se kjo tragjedi nuk e ka lënë pa e prekur edhe rajonin e Opojës. Viktimat e Tivarit e në veçanti subjektet të cilat i kam trajtuar në këtë punim kishin përjetuar tmerr të madh. Me një fjalë, u kishte rënë të shohin vdekjen me sy.

Nga Prizreni deri në Tivar subjektet e lartpërmendura kishin bërë afro tridhjetë ditë e net udhëtim, pa bukë e pa ujë, me fyerje e tortura, për të shkuar në vendin e vdekjes, pa dëshirën e tyre. Fatkeqësi më e madhe është se një pjesë e atyre pjesëmarrësve, që i kanë shpëtuar vdekjes, sot nuk gjenden në mesin tonë, ndërsa pjesa tjetër, që ende janë gjallë, ngurrojnë të rrëfehen.

Të paktën, të dihen pjesëmarrësit me emra e me mbiemra, sepse nga të dhënat e terrenit më është krijuar dyshimi se numri i atyre që kishin përjetuar këtë ngjarje ka qenë shumë më i madh se shifrat e lartcekura.

Jam i vetëdijshëm që mundit dhe trishtimit të përjetuar të të viktimizuarve nuk mund t’u dilet borxhit në asnjë mënyrë. Megjithatë, në këtë punim jam përpjekur që, sadopak, të jap një kontribut të vogël dhe të kryej një obligim moral ndaj këtyre fatkëqijve, si edhe për të nxitur hulumtime të reja për këtë ngjarje, sa të dhimbshme, po aq të rëndësishme për historinë e re të popullit shqiptar.

Tmerrin e Tivarit e dinë më mirë vetëm ata që e kanë përjetuar me lëkurë të tyre, por për të mos e lënë që ta mbulojë pluhuri i harresës, vetë protagonistët e saj që ende janë gjallë duhet t’i nxjerrin në shesh ato përjetime, për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm. E në radhë të parë, ky është obligim i yni, i historianëve.

Do ta mbyllja këtë shkrim duke cituar historianin britanik, H. Seton Watson, i cili kur bën fjalë për historinë e Ballkanit, thotë: “Pena e studiuesit të historisë në këtë pjesë të botës duhet të jetë e mprehtë dhe inteligjente, madje në atë shkallë sa të dallojë gjakun nga boja e kuqe”.

You may also like