Ballina Lajme

Limaj i drejtohet me letër KQZ-së rreth rinumërimit të votave

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i është drejtuar me një letër kryetares se KQZ-së, Valdete Daka dhe anëtarëve tjerë të këtij komisioni.

Burime të ‘Kosovapress’, brenda KQZ-së, bëjnë me dije se Limaj i ka dërguar mbrëmë këtë letër ku ai ka kërkuar rinumërim të votave në nivel vendi.

Në këtë letër ndër të tjera shkruan se janë evidentuar parregullsi dhe shkelje flagrante në përdorimin e formularëve të bartjes se rezultateve zgjedhore në të gjitha komunat e Kosovës.

“Për shkak të efektit negativ dhe në shkeljen e nenit 101 dhe 102 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme konsiderojmë se vendimi për rinumërim të pjesshëm i KQZ-së është i pamjaftueshëm për të përmirësuar shtrembërimin e rezultatit pa saktësinë dhe dëmin që iu është shkaktuar subjekteve politike garuese duke dëmtuar kështu direkt vullnetin e shprehur të votuesit në të gjitha komunat”, thuhet ndër të tjera në letrën e Limajt të cilën e ka siguruar “Kosovapress”.

Më tutje në letrën e Limajt, thuhet se meqë tashmë KQZ me vendimin e marrë ka vërtetuar gabimin në formularët e bartjes së rezultateve KQZ nuk mund të lejojë që një gabim i tillë të lejohet të vlejë edhe për kutitë tjera të votimit.

“Duke iu referuar këtij vendimi më lart të KQZ-së i cili vërteton qartë gabimet në formularin e shpërndarë, vendimi i KQZ-së për të rinumëruar pak më shumë se 300 kutive krijon paligjshmëri dhe shkelje ligjore për lejimin e pjesës tjetër të numërimit. Prandaj, ne konsiderojmë se KQZ ja tashmë ka pranuar gabimet në formularë të bartjes së rezultateve dhe si pasojë direkte juridike të gjitha rezultatet në të gjitha vendvotimet duhet të rinumërohen, për të përmbushur kërkesat e ligjit respektivisht nenit 101 dhe 102 të Ligjit për Zgjedhjet, transparenca dhe saktësia e numërimit të votimit”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.

Limaj shprehet i bindur se KQZ nuk do të lejojë shkelje ligjore në proces të numërimit dhe bartjes së rezultateve nga ndërhyrja në formularë nga ana e personave të paautorizuar (komisionerëve në vendvotime) pa autorizimin e organit kompetent. (Fjala është që në shumë formularë komisionerët duke parë gabimin në formularë, kanë ndërhyrë në bartje të rezultateve të partive politike) dhe nëse KQZ i pranon si të ligjshme këto ndërhyrje, atëherë, ai thotë se përveç që pranon falsifikimin, kanë bërë shkelje të ligjit dhe kanë rrënuar kredibilitetin e të gjithë procesit zgjedhor.

“Është e qartë se KQZ mbi bazën e këtyre formularëve të mangët në asnjë mënyrë nuk mund të nxjerrë rezultatin përfundimtar në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme të datës 6 tetor 2019. Prandaj, ne kërkojmë urgjentisht që KQZ ta pranojë gabimin në tërësi dhe jo pjesërisht dhe të krijojë kushte për rinumërim të secilës kuti për të nxjerrë rezultatin zgjedhor ashtu siç është brenda kutive dhe t’i eliminojë të gjitha këto gabime skandaloze, shtrembërimin e rezultatit dhe shumë defekte që janë përcjellë nga ky gabim”, thuhet në këtë letër.

Si bartës i Koalicionit NISMA AKR PD, Limaj ka kërkuar nga KQZ ja që të aprovojë kërkesën e këtij koalicioni që të marr vendim për rinumërimin e të gjitha kutive të votimit të datës 06 tetor 2019, për të rikthyer transparencën dhe saktësinë e numërimit, por mbi të gjitha për të ruajtur dhe mos shtrembëruar vullnetin e votueseve të shprehur në kutitë e votimit.

You may also like