Ballina Lajme

LB: Kosova s’kërcënohet nga shkëmbimi i territoreve, por nga autonomia

Ditëve të fundit është rritur jashtë mase presioni politik mbi opinionin publik lidhur me rrjedhën e bisedimeve midis Kosovës e Serbisë. Krejt kjo kulmoi me interpretimet se edhe shkëmbimi i territoreve është një opsion i mundshëm.

Lëvizja për Bashkim, është e bindur që kërcënimi i vërtetë për Kosovë është krejt tjetër nga ai që po paraqitet. Duke e krijuar një situatë frike ndaj shkëmbimit të territoreve, po përpiqet të zbutet kundërshtimi ndaj një autonomie përmbajtësore që do të fitonin serbët përmes krijimit të një asociacioni me kompetenca të mëdha.

Ne, përmes platformës sonë, që prej vitit 2010 kemi insistuar që zgjidhja e vetme për problemin shqiptaro-serb është reciprociteti në të drejta midis banorëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe atyre të Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut, deri në ridefinimin e kufijve midis Kosovës e Serbisë, duke u bazuar në vullnetin e banorëve të këtyre komunave.

Lëvizja për Bashkim paralajmëron se rreziku aktual për Kosovën është forcimi i autonomisë për serbët e Kosovës, gjë që Kosovën do ta mbante në mënyrë të vazhdueshme si një shtet jofunksional.

Duke e bërë situatën e padurueshme, kjo do të krijonte kushte që pas një kohe të ndodhin edhe përplasje që shkëmbimin do ta bënin të paevitueshëm, por atëherë vijë ndarëse do të jetë lumi Ibër. Me këtë klasë politike, Kosovën nuk e pret fund tjetër.

 

You may also like