Fokus

Kush ishte Asllan Murati, hoxha që një jetë ia kushtoi fesë dhe atdheut

Biografi
Asllan MURATI

Asllan Murati u lind më 12 shkurt 1943 në fshatin Zhabar i Poshtëm, komuna e Mitrovicës. Rrjedh nga një familje me tradita atdhetare, kombëtare e fetare e arsimdashëse. Shkollën fillore e përfundoi në Zhabar. Duke qenë se ishte i interesuar për mësimet në gjuhën arabe, ai mësoi te hoxha i fshatit shkrim- leximin arab.

Për shkak të situatës politike dhe ndalimit me ligj të mësimit fetar në atë kohë, pra në vitet ‘50 të shekullit XX, ndërpreu mësimet, për t’i vazhduar pastaj në Mitrovicë, ku mësoi gramatikën, sintaksën arabe, komentin e Kuranit, apologjetikën, Ilmi Kelamin, jurisprudencën islame etj.

Në vitin 1966, u regjistrua në Medresenë e Mesme “Alaudin” në Prishtinë. ku mësimi zgjaste pesë vjet dhe e kreu me sukses, duke vijuar pastaj mësimet me korrespodencë.

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, në vitin 1969 emërohet imam dhe ligjërues në Xhaminë qendrore (Xhamia e Zallit) në Mitrovicë. Megjithatë. ai asnjëherë nuk e ndali interesimin për thellimin dhe zgjerimin e njohurive në shkollë. U regjistrua menjëherë në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, dega histori-gjeografi, ku e kreu me sukses dhe mori titullin arsimtar i lëndëve histori e gjeografi. Nuk u ndal me kaq. menjëherë regjistrohet në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, katedra e orientalistikës, ku mësoheshin, përveç tjerash, edhe gjuhët arabe, turke dhe persishte. Në aftin optimal diplomoi dhe mori titullin profesor i këtyre lëmenjve.

Si personalitet i edukuar dhe i shkolluar, me tipare intelektuale e kombëtare më se 46 vjet punoi dhe shërbeu si imam e ligjërues në Xhaminë e Zallit në Mitrovicë. Gjatë kësaj kohe dha kontribut të çmuar në aspektin kombëtar, fetar, edukativ etj.

Asllan Murati, përveç profesionit të imamit, gjatë jetës së tij kreu edhe disa detyra me përgjegjësi në Bashkësinë Islame të Mitrovicës.

You may also like