Kushtuar veprës,jetës dhe pavdekësinë së Nanë Hasibe Ismailit

Oh sa më dhembi lajmi:Nanë Hasibe Ismaili u nda nga kjo jetë! Unë dhe të gjithë ata që e kanë njohur, dashur dhe respektuar- se ajo meritonte respekt, dashuri e përkushtim prej bijësh e bijash- sot ndihemi jetimë! Ajo ishte Nanë e jetës , e dhimbjeve dhe fatkeqësive të pazakonta, që i përballoi me dinjitet prej burrneshe, prej Nane e bije heroinë! Edhe prej Nane bijsh që i rriti me durim, me dashuri për vendin, për dheun e të parëve, me ndershmëri e dinjitet, me besim te i madhi Zot!
Për mua, që e kam njohur kur nuk e kisha ma Nanën time, ajo ishte dhe mbeti shembull amësie, mirësie, durimi e dhimsurie të pafund! Kurdo që të ndahesh nga Nana, asht e parakohshme, e dhimbshme, e trishtueshme! Vështirë të mbushet ai boshllëk që të krijohet në shpirt, në mendje e në zemër, edhe në mjediset e shtëpisë .Unë do të vij sërish te Ti, në shtëpinë e dashur, bujare e mikpritëse Tande, jo më në Kairo, por në Fushë Kosovë…

Do të më duket se do Të Të gjej sërish, ashtu, të bukur e fisnike,buzëgaz e fjalë ambël, do të më rrethosh me mirësinë e dashurinë Tande të veçantë,prej Nane! Po, po, të gjitha këto do t’I gjej sërish në atë shtëpi,ku dera rri gjithnjë e çelun për musafirë e dashamirë, se Ti ke lanë gjithë pasuninë Tande shpirtërore, virtutet, zakonet e traditat e familjes Sate ne breza, te familja e birit Tand,Beqir Ismailit, te nusja jote,Fatimja, që ishte për Ty bijë e kaluar bijës, te nipat e mbesat e Tu që dhanë e morën me Ty vetëm dashuri e paqe, bujari e toleracë me njerëzit përreth.

Të jap fjalën,Nanë, do të vij! E do të shkruaj sërish për Ty, sikur të kem shkruar për të gjitha Nanat e Kosovës e të Shqipërisë.Se nuk shteren kurrë urtësia, butësia, mirësia, mësimet e këshillat e Nanës!
Lamtumirë, Nanë Hasibe,Të qoftë i lehtë dheu, e lehtë rruga drejt Parajsës, hallall mundi e sakrificat e Tua njerëzore e mbinjerëzore në jetë! I paharruar -ndër breza të familjes Sate, të të gjithë atyre që të njohën, të nderuan e mësuan nga Ti- e paharruar jeta, vepra ,dhimbja, lufta Jote për jetën, lirinë, qetësinë e njerezve të vendit Tand , të të gjithëve!Ti do të jetosh në kujtimin e bijve,nipërve e stërnipërve të Tu, edhe në zemrat tona, edhe në shkrimet e kujtimet e mia që i ruaj me dashuri ,respekt e mall të veçantë!

U prehsh në paqe e qetësi, në dheun Tand, në tokën Tande, të larë me gjakun, mundin, djersën e sakrificat e popullit Tand, edhe të bijve e të dashurve të Tu! Lamtumirë, Nanë!
Vjollca Lisi
Tiranë, 27 Nëntor, 2019


Hasibe Ismaili (15. 12. 1920 – 27. 11. 2019)

You may also like