Ballina Ekonomi Lajme

Kostoja reale e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, sipas shoqërisë civile

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në kuadër të kampanjës #mosthujsekamdite kanë ngritur shqetësimet e tyre mbi koston reale të ndërtimit të Termocentralit Kosova e Re.

Përmes një komunikate për media, thonë se financimi i ndërtimit të termocentralit parashihet të bëhet me një strukturë financiare ku 70 për qind e kostos pritet të mbulohet nga financimi përmes kredisë dhe 30 për qind nga investimi përmes kompanisë private ContourGlobal si investitor i përcaktuar për përmbushje të këtij obligimi.

“Me një strukturë të tillë të financimit, 910 milionë euro do të financohen përmes kredisë si dhe 390 milionë do të financohen përmes investimit privat. Me një shumë kaq të lartë të kredisë, kostoja e ndërtimit prej 1.3 miliardë euro paraqet një mori brengash dhe rreziqesh si për nga aspekti financiar, politik dhe ai rregullativ të cilat duhen të merren parasysh”, thuhet në njoftim, përcjell lajmi.net.

Tutje thuhet se nga kostoja totale e ndërtimit të termocentralit, 30 për qind parashihet të përmbushet nga investimet e investitorit privat, ContourGlobal.

“Norma e kthimit të investimit prej 390 milionë euro është dakorduar me marrëveshje të jetë 18.5 për qind si dhe me aplikim të interesit dy herë në vit. Analizat marrin parasysh periudhën kohore të amortizimit total të kredisë për 3 dhe 5 vite si dy skenarë të mundshëm pasi që kjo nuk është e specifikuar në marrëveshjen e fundit të publikuar. Me specifika të detajuara në këtë mënyrë, kostoja e paguar vetëm në interes mbi bazën e investimit arrin vlerën e rreth 270 milionë euro për tre vite dhe 550 milionë euro për mundësinë e amortizimit prej 5 vite”.

Kalkulimet përfshijnë edhe koston e subvencionit e cila pritet të mbulohet në rast se marrëveshja kushtëzohet të arrihet vetëm me interes shumë të favorshëm për kredidhënësin. Kjo nënkupton se në rast se kredia e siguruar kalkulohet me një interes prej 18 për qind, shuma e paguar në interes për periudhën 20 vjeçare do të jetë 3.2 miliardë euro krahasuar me 1.3 miliardë euro nëse norma e interesit merret të jetë 7.5 për qind. Diferenca e cila duhet të subvencionohet arrin vlerën e 1.9 miliardë euro.

“Nga këto kalkulime, kostoja e ndërtimit të termocentralit të ri arrin vlerën e rreth 4.8 miliardë euro, tre herë me e lartë sesa parashikimet e kostos deri më tani me vlerë prej 1.3 miliardë euro. Duhet të merret parasysh se këtu marrim parasysh koston e amortizimit të investimit të ContourGobal për një periudhë prej 3 viteve”, tha Burim Ejupi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP). “Në rast se amortizimi i investimit bëhet për një periudhe prej 5 viteve, kostoja totale e ndërtimit mund të arrijë edhe vlerën e mbi 5 miliardë euro.”

“Çmimi i ndërtimit të termocentralit prej afër 5 miliardë euro së bashku me rritjen enrome të çmimit të energjisë do të jenë barrë e papërballueshme për qytetarët e Kosovës që janë ndër më të varfërit në Evropë. Do të ketë implikime të mëdha socio-ekonomike, do të ndikojë në uljen e fuqisë blerëse të njerëzve, do të ndikojë në uljen e përqindjes së burimeve të ripërtëritshme por mbi të gjitha do ta komplikojë rrugëtimin e Kosovës në integrimin e saj evropian duke mbyllur tregun e energjisë”, tha Visar Azemi nga Balkan Green Foundation.

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kërkojnë tërheqjen e menjëhershme nga kontrata për ndërtimin e këtij termocentrali. Ky projekt do të falimentojë Kosovën ekonomikisht, do të pamundësojë liberalizimin dhe integrimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe paraqet një goditje vendimtare të mjedisit, shëndetit dhe të drejtave të njeriut. Duke ndërprerë këtë projekt të dëmshëm, Kosova ka mundësinë të ndërtojë të ardhme evropiane përmes tranzicionit të energjisë drejt burimeve të ripërtërishme, efiçiencës së energjisë dhe një tregu të integruar e liberal në funksion të përballueshmërisë së çmimeve dhe mbrojtjes së konsumatorit.

“Gjithashtu, i bëjmë thirrje Deputetëve të Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe përfaqësues të qytetarëve kosovarë, që të mos votojnë në favor të këtij projekti i cili do të jetë barrë e rëndë mbi supet e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës.

You may also like