Lajme Tech & Auto

Kosova i bën ofertë gjigantit Volkswagen

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala i ka bërë një ofertë gjigantit Volkswagen.

Lajmi.net ka siguruar letrën zyrtare të ministrit Shala, në të cilën bëhet prezantimi i ofertës për investim në Kosovë.

Në letrën drejtuar bordit menaxhues të Volkswagen, ministri Shala shkruan se nisur nga informacionet se kompania po planifikon investime në Evropën Juglindore, andaj kjo ministri dhe Qeveria e Kosovës do të donin të shprehin gatishmërinë që të shërbejnë në drejtim të sjelljes së këtij investimi në Kosovë.

“Më lejoni të ju tregoj se Kosova renditet e 44-ta në raportin e Bankës Botërore për lehtësinë e të bërit biznes, dhe se jemi vendi me pozicionin më të mirë gjeografik në rajon”, shkruan Shala në letër drejtuar kompanisë gjermane të veturave Volkswagen.Shala ka përmendur popullatën e re që ka Kosova, bazat e legjislativit dhe pika të tjera faktike që do të mund ta bënin që Volkswagen të investojë në Kosovë.Një veçori e letrës së ministrit është edhe preferenca e kosovarëve për markën gjermane.

“Do të doja të ju njoftojë edhe me preferencat e qytetarëve të shteteve të rajonit sa i përket veturave. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mund të vlerësohen si shtete ku qytetarët vozisin Mercedes, Serbia mund të quhet si vend i Fiatit për shkak të fabrikës që është atje. Kosova padyshim mund të quhet vend i Volkswagen, meqë janë shumë të preferuara nga qytetarët tanë dhe besoj që kemi numrin më të madh të veturave Volkswagen për kokë banori”, shkruan Shala.

You may also like