Ballina Lajme

Kosova e Shqipëria me marrëveshje për bashkëpunimin diplomatik të të dyja vendeve

Ministria e Jashtme e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar një marrëveshje në Tiranë, të cilën kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli, e ka quajtur historike.

Ajo ka të bëjë me bashkëpunimin diplomatik të Kosovës dhe Shqipërisë, përmes së cilës synohet zhvillimi i një politike të bashkërenduar në fushat strategjike të rëndësisë kombëtare në politikën e jashtme.

Pacolli tha se Kosova dhe Shqipëria do të bashkërendojnë nga afër politiken e jashtme, do të krijojnë misione të përbashkëta diplomatike dhe do të ndajnë stafin dhe përvojën për zbatimin e interesave tona kombëtare.

“Ky është një hap i madh përpara për të ardhur së bashku në skenën botërore dhe për të vepruar si një komb”, deklaroi Pacolli.

Ai tha se i është mirënjohës Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj “që së bashku kemi marrë këtë hap të madh”.

“Shqipëria si gjithmonë do të mbrojë interesat e Kosovës, dhe Kosova do të bëjë të njëjtën gjë. Si dy vende, një komb, ne do të përfaqësohemi në të gjithë botën me një zë të unifikuar”, përfundoi Pacolli.

You may also like