Ballina Lajme

Kocijançiç: Kosova dhe Serbia të sigurojnë kushtet për vazhdimin e dialogut

Pas dështimit të sotëm në anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç ftoi Serbinë dhe Kosovën që të sigurojnë kushtet për rifillimin e dialogut, duke shtuar se INTERPOL-i është një partner i rëndësishëm i BE-së, por refuzimi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë është një çështje që ka të bëjë me anëtarët e INTERPOL-it, jo me BE-në.

Kocijançiç nuk ka dashur që në emër të Bashkimit Evropian të shpreh vlerësimin e vendimit të sotëm për mos anëtarësimin e Kosovës, duke theksuar se bëhet fjalë për një vendim që është marrë nga shtetet anëtare të kësaj organizate.

E SPONSORUAR
E ardhmja e bankimit është tani!
SHIKO VIDEON
“INTERPOL-i është një partner i rëndësishëm për BE-në. Ne kemi bashkëpunim pozitiv, duke përfshirë fushën e policisë në kuadër të BE-së, asistencën teknike për vendet e treta dhe operacionet e përbashkëta të sigurisë dhe të mbrojtjes me qëllim të forcimit të bashkëpunimit policor dhe ndërtimin e kapaciteteve për zbatimin e ligjit”, ka thënë Kocijançiç, përcjell Telegrafi.

E pyetur nga agjencia serbe “Tanjug” se si e sheh BE kërkesën e Beogradit që dialogu të vazhdojë vetëm pas heqjes së taksës së vendosur nga Kosova për importimin e mallrave serbe, Kocijançiç përmendi kumtesën për media të shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, pas raundit të fundit të dialogut më 8 nëntor.

“Kosova dhe Serbia duhet të sigurojnë kushtet për dialog dhe të përmbahen nga fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit”, thuhej në kumtesë.

Ajo shtoi se BE pret që Serbia dhe Kosova shpejt të përmbushin detyrimet e tyre në kuadër të dialogut dhe rikujtoi në lidhjen e drejtpërdrejtë midis normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy palëve dhe perspektivës konkrete në aspiratat e tyre në BE.

You may also like