Ballina Lajme

Hiqet pagesa prej 10 centësh në Stacionin e Autobusëve

Bordi i drejtorëve të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë ka marrë vendim për heqjen e pagesës prej 10 centësh për hyrje në Stacionin e Autobusëve.

Lajmin e ka konfirmuar për Radio Kosovën ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij institucioni, Emin Sylejmani. Ai ka thënë se tani e tutje kjo taksë nuk do të paguhet nga qytetarët, ndërsa ka deklaruar se kompensimi i kësaj pagese do të bëhet përmes shërbimeve të tjera.

Me vendim të Bordit të drejtorëve dhe përfaqësuesve të Komunës së Prishtinës, të hënën është hequr pagesa prej 10 centësh, e cila është bërë tash e disa muaj krahas pagesës së biletës për të gjithë udhëtarët që e shfrytëzojnë Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për Radio Kosovën ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Stacionit të Autobusëve në kryeqytet, Emin Sylejmani.

“Dje në orët e vona e kemi pasur takimin me Bordin e drejtorëve dhe bordi i drejtorëve e ka marrë vendimin që tarifa prej 10 centëve në emër të shërbimeve, apo që në opinion njihet si taksa prej 10 centëve, të hiqet, dhe tani e tutje të mos ekzistojë kjo taksë që është pagur nga udhëtarët”, ka thënë Sylejmani.

Sylejmani tha se kompensimi i kësaj pagese, e cila deri më tani është nxjerrë nga taksa prej 10 centëve, do të grumbullohet përmes rritjes së pagesës së peronizimit për autobusë.

 “Është një ngritje e lehtë në linjat e Kosovës, do të paguhet peronizimi diku 50 centë më tepër se që ka qenë më herët, ndërsa ato ndërkombëtare, që janë nga Maqedonia në Prishtinë dhe nga Prishtina në Maqedoni, do të paguajnë dy euro më tepër”, tha ai.

Pagesa prej 10 centëve ishte caktuar nga Stacioni i Autobusëve në nëntor të vitit të kaluar dhe është bërë krahas pagesës së çmimit të biletës.

You may also like