Ballina Lajme

Haradinaj jep detaje nga biseda telefonike me Stoltenberg

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë një bisede telefonike me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka garantuar këtë të fundit për transparencën e procesit të transicionit të FSK-së, duke shprehur vizionin e tij për thellimin e partneritetit me NATO-n, KFOR-in dhe për gatishmërinë e trupave të FSK-së për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale.

Haradinaj është shprehur i kënaqur me përkushtimin e NATO-s për të mbështetur Kosovën në tërësi dhe se e ka informuar Sekretarin Stoltenberg për miratimin e Ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes, mandatimin ushtarak të FSK-së dhe shërbimin në FSK.

“Po ashtu, e informova për veprimin konkret të Qeverisë së Kosovës në themelimin e Komitetin Ndër-Ministror për Integrimet dhe Anëtarësimin në NATO, si një zhvillim konkret për afrimin e Kosovës me NATO-n”, ka thënë ai.

Haradinaj vlerësoi se Kosova do të punojë ngushtë me NATO-n, për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale të FSK-së në mandatin ushtarak, si dhe për angazhimin e përbashkët në ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes.

You may also like