Ballina Lajme

Gjuajtja me armë – Apeli ua vërteton dënimet Shalës, Lushtakut dhe Gashit

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë për zëvendëskryeministrin në largim, Dardan Gashi, ministrit në largim të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku dhe të tjerëve, që akuzohen për gjuajtjet me armë në odën e zëvendëskryeministrit në largim Fatmir Limajt në Malishevë.

Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e cila kishte kërkuar ndryshimin e aktgjykimit të shkallës së parë, duke kërkuar dënime më të larta ndaj të akuzuarve, me të cilat dënime sipas prokurorisë do të arrihej qëllimi i dënimit.

Gjykata e Apelit ka refuzuar si ankesë të pabazë atë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë që kërkoi ndryshimin e aktgjykimit të shkallës së parë, kështu duke kërkuar dënime më të larta për të akuzuarit.

Marrjen e këtij vendimi për klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi për media i kësaj gjykate, Arbër Jashari.

“Vendimi është marr më 18.07.2019”, tha Jashari.

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, më 1 mars 2019, të akuzuarit Dardan Gashi, Endrit Shala, Sami Lushtaku, Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Krasniqi i kishte shpallur fajtor për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ministri në largim i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi është dënuar me 1700 euro gjobë.

Kurse, ministri në largim i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala është dënuar me 2400 euro gjobë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku është dënuar me 1700 euro gjobë.

Me nga 1700 euro gjobë janë dënuar edhe tre të akuzuarit e tjerë, Behar Amerllahu, Fadil Demiri si dhe Sherif Krasniqi.

Sipas aktgjykimit të shkallës së dytë, pretendimet e prokurorit të shtetit se dënimi i shqiptuar nuk është në proporcion me veprat e kryera, të njëjtat pretendime nuk qëndrojnë, pasi gjykata e shkallës së parë konform dispozitave të neneve 73, 74,75, dhe 76 të KPRK-së, i ka vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese që ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit.

Aktakuza kundër Lushtakut, Gashit dhe Shalës dhe të tjerëve ishte ngritur pas një video të publikuar në media në fund të vitit 2017.

Kjo video kishte të bënte me festën që Limaj kishte organizuar në Malishevë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë kishte nxjerrë aktgjykim lirues ndaj tij në rastin e njohur si “MTPT”.

Në këtë video shihej Lushtaku, Gashi dhe Shala duke shtënë me armë nga dritarja e odës ku mbahej festa.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 16 maj 2018, të pandehurit Dardan Gashi, Endrit Shala, Sami Lushtaku, Behar Amerllahu, Fadil Demiri akuzohen se secili prej tyre ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “ nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

You may also like