Fokus OP/ED

Fushata anti Bashkësi Islame, e ligë dhe e keqe!

Fushata anti Bashkësi Islame, e ligë dhe e keqe!
(Bashkësia Islame është plep, e në plep ndalen sorrat, zogjtë, laraskat, etj.)

Dita e djeshme (16.10.2018), ishte e mbushur me sulme “terroriste” në drejtim të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Medresesë “Alauddin”. Piskamë, thuajse, Bashkësia Islame e Kosovës e Medreseja janë qendra e krimit të krimeve të mbarë botës!? Po harrojnë se këto dy institucione, bashkë me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), në të gjitha sondazhet e pavarura, dalin si më të besueshme në shoqërinë tonë (shih: raportet e institutit RIINVEST, pastaj Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë-QKSS, etj.). E, këtë vlerësim, e kanë dhënë qytetarët, të lirë, esëll, pa asnjë ngarkesë, gjithandej Kosovës. Natyrisht, jo rastësisht, por falë meritave të mëdha, që ka Bashkësia Islame për vendin.

E kuptojmë, është process zgjedhor në BIRK, e dikush i fryn zjarrit! Por, ne, nuk duhet ta bëjmë kabull poshtërimin e as të hipim në anijën e disa “dushmanëve të dinit”, me mision kundër BIRK-ut. Po ashtu, do t’i kuptojmë edhe zërat kundër Myftiut Tërnava, sepse është në ballë, e mbi plepa ndalen sorrat, zogjtë, laraskat, etj., por, sikundër kësaj është tepër e ligë, fushata kundër familjarëve të tij!?

Edhe kur e kritikojmë dikë, duhet ta kritikojmë me argumente e me terbije. Bashkësia Islame ka strukturën e vet nëpër komuna, siç e ka edhe shteti. Dhe, për një neglizhencë, nuk mund të fajësohet një person, po qoftë edhe myftiu i Kosovës apo kryetari i shtetit. Askush nuk ka faj, nëse unë nuk e kryej me nder detyrën time në vendin e punës. Ata, mund të kenë faje të tjera, në nivel të autostradave ideore e ideologjike, por jo edhe për mosfunksionimin e një toaleti. Në këtë kuptim, mjafton, që Bashkësia Islame e Kosovës si një institucion i madh, istablishmenti i saj, në këto vite, pra, para luftës e pas saj, ka udhëhequr një botëkuptim shtetndërtues e kundër dukurive negative, përfshirë edhe luftën kundër të ashtuquajturit “radikalizëm i dhunshëm”. Po ashtu, ka zhvilluar infrastrukturën, duke ndërtuar shumë xhami, medrese, shtim të pronës vakufnore, institute, kuzhina popullore, ndihmë të varfërve, ndërtim të shtëpive, edukim të të rinjëve, stabilitetin e brendshëm institucional, etj.etj.

Këto dhe shumë të tjera, natyrisht dikujt i pengojnë. Kur, nuk kanë punë të tjera, i hipin në qafë Bashkësisë Islame. Çfarë të bëjmë, jemi mësuar! Shalli i hoxhës, ka qenë halë në sytë e të gjitha pushteteve, që nga viti 1912 e deri sot. “Luftë për mbijetesë”, thoshte Darvini i famshëm! Po, kanë folur edhe kundër Zotit, Pejgamberit e ylemave të ymetit. Ne, duhet të shikojmë punët tona për të mirën e shoqërisë, vendit e kombit. “Hasmin e mbysim me punë, e jo me plumba”, thotë populli…!” (O.Bislimaj).

You may also like