Ballina Ekonomi Lajme

Efekti i taksës, rritet çmimi i produkteve në tregjet e Kosovës

Shumë konsumatorë thonë se çmimet në tregun e Kosovës kanë shënuar ngritje muajve të fundit.

Ata thonë se disa nga produktet e konsumit të përditshëm janë më shtrenjtë se sa në vendet shumë më të zhvilluara se Kosova. E sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ngritje të çmimeve ka pasur te produktet bazike si buka dhe drithërat, qumështi, djathi, vezët, perimet, pijet alkoolike etj.

Qytetarët e intervistuar nga Radio Kosova, të cilët po blinin produkte ushqimore në njërin nga dyqanet e mëdha në Prishtinë, thanë se çmimet janë shumë të larta në krahasim me të ardhurat që kemi.

Ndërsa njëri nga mërgimtarët, i cili jeton në Danimarkë, tha se disa nga produktet ushqimore janë më të shtrenjta këtu në Kosovë sesa në Danimarkë.

“Unë jetoj në Danimarkë dhe disa artikuj janë më të shtrenjtë se atje, sidomos artikujt ushqimorë janë shumë më të shtrenjta se në Danimarkë. Produktet ushqimore janë më të shtrenjta në krahasim me të ardhurat dhe kushtet që janë këtu”, tha ai.

Selatin Kaçaniku, nga Organizata ‘Konsumatori’, tha për Radio Kosovën se çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë, janë më të larta se në vendet e Bashkimit Evropian.

“Ne çdo gjë e kemi me të shtrenjtë, edhe fuqinë punëtore, ani pse e kemi me bollëk, edhe çmimet e të gjithë artikujve, p.sh: Çmimet e ushqimeve janë më të larta në Kosovë se në Bashkimin Evropian, ani se të ne mesatarja e rrogave është shumë me e ulët”, tha ai.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se ngritjet e çmimeve nuk mund t’i cilësojmë si të arsyeshme apo të paarsyeshme. Ngritjet e çmimeve vijnë atëherë kur kërkesat janë më të mëdha se sa ofertat e produkteve të caktuara.

“Tregu vepron në bazë të kërkesës, dhe çdo rritje e kërkesës përcillet me rritje çmimesh. Çdo tregtar e shfrytëzon këtë element për shkak që sa më shumë që ka kërkesa kjo ndikon në rritje të shitjeve dhe normalisht kjo shfrytëzohet” tha ai.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se ngritja e çmimeve në Kosovë është në mëshirën e bizneseve dhe nuk kontrollohet nga askush, sepse një gjë të tillë e lejon ekonomia e tregut.

You may also like