Ballina Lajme

Dialogu, Thaçit nuk i bashkëngjitet askush

Në fazën finale të dialogut me Serbinë, e cila do të fillojë këtë të diele, presidentit Hashim Thaçi nuk dëshiron t’i bashkëngjitet askush.

Grupi i unitetit, i proklamuar një vit më parë nga ai, ka dështuar të formohet pasi i pari i shtetit refuzohet të jetë kryenegociator, shkruan gazeta “Zëri”

Ndonëse para një viti ishte zotuar se do ta formonte një grup uniteti për fazën finale të dialogut me Serbinë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pritet që këtë të diel të udhëtojë i vetëm për në Bruksel.

Atje Thaçi do të takohet me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq, me ç’rast pritet të nisë edhe faza finale e dialogut Kosovë – Serbi.

Pavarësisht kësaj, partitë opozitare po vazhdojnë ta kundërshtojnë formatin aktual të dialogut, duke mos e mbështetur as Thaçin për kryenegociator, shkruan më tutje kjo e përditshme.

Monitoruesit e këtij procesi nga shoqëria civile konsiderojnë se përfaqësimi i Kosovës vetëm nga kreu i shtetit në këtë proces të rëndësishëm është tejet i rrezikshëm për Kosovën, kjo pasi edhe nëse përfundon faza finale e dialogut me Serbinë ratifikimi i marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës do të jetë i pamundur pa një konsensus të gjerë politik.

Për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke përfshirë këtu marrëveshjen finale Kosovë – Serbi, nevojiten 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit, rrjedhimisht 80 sosh.

You may also like