Sport

Dështimi i dytë, Inter anulon ditën e pushimit

Vetëm një pikë në dy ndeshje dhe shumë gabime, të pafalshme për një ekip që do të luajë në Champions League dhe është përforcuar ndjeshëm këtë verë, të paktën në letër.

Inter i drejtuar nga Luciano Spalletti nuk po funksionon dhe masa e parë pas barazimit zhgënjyes kundër Torino-s është anulimi i ditës së pushimit. Një ditë pas ndeshjes, të gjithë në fushë, një sinjal i fortë drejtuar skuadrës, me trajnerin që pranon se pas golit të Belotti-t asgjë nuk funksionoi më në fushë.

Për Spalletti-in është çështje përqendrimi, por edhe karakteri: “Të fitosh titullin do të thotë të fitosh gjithë ndeshjet, diçka e vështirë për ne, për atë që është prejardhja jonë. Duhet ende të hedhim hapa përpara. Duhet të rikuperojmë 20 pikë ndaj Napoli-t për t’u bërë anti-Juventus, kemi kryer një merkato të rëndësishme, por mungon ende diçka. Luajtëm një ndeshje të shëmtuar ndaj Sassuolo-s dhe sërish pësuam gola banalë, do të shoh çfarë ka ndodhur, sepse e kishim rezultatin në dorë dhe më pas nuk fituam. Duhet punuar shumë për t’u bërë anti-Juventus, sepse kështu nuk bëhemi anti-askush”.

Trajneri zikaltër kërkon mentalitet ndryshe: “Është e vështirë të gjesh arsyet e kësaj rënieje, një top i gjatë nga 40 metra dhe nuk e lexuam mirë situatën, duke mbetur të befasuar. Nuk i dhamë peshën e duhur, nuk kam shpjegim tjetër. Nuk reaguam si duhej, sipas meje. Është shqetësuese nëse pëson gol ashtu, janë momente që e kanë karakterizuar Inter-in edhe në sezonet e shkuar, si vitin e shkuar kur e humbëm ndeshjen e parë. Gabuam te goli i Belotti-t dhe na iku nga duart një rezultat që e kishim me meritë në dorë. Mund të bëhemi anti-Juventus, unë them që kemi skuadër për të luftuar me 4-5 skuadrat e kreut, por duhet ndërtuar mentalitet i fortë”.

Ndërkohë, vjen masa e parë: asnjë ditë pushimi pas dy ndeshjesh me vetëm një pikë në renditje. Trajneri Spalletti ka anuluar pushimin e së hënës, të gjithë në fushë për të përgatitur ndeshjen kundër Bologna-s, që është sfida më e lehtë në letër nga 3 të parat e kampionatit, por që tashmë bëhet një finale, sepse nëse nuk vjen sërish fitorja, situata është shumë më e rëndë nga sa mendohet.

You may also like