Ballina Ekonomi Lajme

Deklarohet “Z-Mobile”, paralajmëron se do të dërgojë sërish në arbitrazh rastin ndaj Telekomit

Telekomi i Kosovës gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se nuk do të vazhdojë kontratën me operatorin virtual “Z-Mobile” pasi që, sipas tyre, kjo e fundit nuk i ka pranuar kushtet e tyre për kontratën e re.

E “Z Mobile”, përmes një reagimi dërguar mediave, ka thënë se me kujdes e ka vëzhguar situatën lidhur me përfundimin, respektivisht vazhdimin e kontratës me Telekomin e Kosovës, sipas kushteve të parapara në marrëveshjen bazë dhe për këto arsye nuk ka bërë deklarime publike, duke dashur t’i përmbahet obligimit që palët të negociojnë në mirëbesim.

“Me këtë rast, deklarimet e Telekomit të Kosovës se kanë zhvilluar negociata në mirëbesim për vazhdimin e kontratës me Z Mobile nuk besojmë që janë të sinqerta. Sipas bindjes sonë, që nga fillimi i kësaj periudhe, Telekomi nuk ka dashur të arrijë marrëveshje për vazhdimin e kontratës me Z Mobile dhe për këtë fakte ekzistojnë dëshmi të shumta me shkrim, si dhe me paraqitjet e përfaqësuesve të Telekomit nëpër media”, ka thënë kjo kompani në reagimin dërguar mediave.

Tutje, “Z-Mobile” thotë se Telekomi e ka pasur për obligim ligjor që negociatat t’i zhvillojë në mirëbesim për arritjen e marrëveshjes komerciale me “Z Mobile”, “por ka bërë çdo veprim që të mos arrihet një marrëveshje”.

“Vazhdimi i kësaj kontrate ka qenë në dobi të Telekomit, të konsumatorëve të Kosovës dhe zhvillimit të një tregu cilësor dhe konkurrent. Telekomi, duke vepruar në kundërshtim me obligimin për mirëbesim, ka zhvilluar kampanjë publike për devalvimin e bashkëpunimit komercial me Z Mobile, gjë që nuk e kemi pritur. Megjithatë, ne besojmë që këto veprime të Telekomit nuk i sjellin asnjë dobi as Telekomit as tregut të telekomunikacionit në Kosovë”, deklaron “Z-Mobile”.

Në situatën e tillë, “Z Mobile” thotë se, “duke u vënë para aktit të kryer për shkak të mosbashkëpunimit të partnerit, i mbetet pak mundësi të zgjidhjes përveçse ndjekjes së rrugëve ligjore, duke mos përjashtuar inicim të procedurës së arbitrazhit ndaj Telekomit”.

“Gjithashtu, nga deklarimet, kemi vërejtur se Telekomi synon ta bëjë edhe një veprim tjetër kundërligjor, marrjen e numrave dhe konsumatorëve të Z Mobile, duke e quajtur ‘periudhë transicioni’. Kjo është shumë e çuditshme, për shkak se edhe Telekomi e di se numrat e Z Mobile janë pronë e kësaj kompanie dhe ato nuk mund të konfiskohen nga ndonjë kompani tjetër, as publike as private. Veprimet e tilla eventuale janë arbitrare dhe do të kenë konsekuenca juridike”, thuhet në reagimin e “Z-Mobile”.

“Z Mobile është kompani e përgjegjshme dhe do të bëjë zgjidhje për konsumatorët e saj, duke shfrytëzuar deri në fund të gjitha mundësitë ligjore. Ne i falënderojmë konsumatorët tanë për besnikërinë dhe i njoftojmë se nuk ka hapësirë për shqetësim, e as për të rënë nën ndikimin e fushatës publike kundër një kompanie private ushtruar nga Telekomi dhe aksionarët e saj”, përfundon reagimi i “Z-Mobile” ndaj vendimit të Telekomit të Kosovës.

You may also like