Ballina Kulturë Lajme

Dashamirët e gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqipe mblidhen në Prishtinë

Kryeqyteti kosovar Prishtina është nikoqire e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe për herën e 37-të me radhë.

Punimet e këtij seminari janë hapur të hënën në ambientet e Fakultetit Filologjik pranë Universitetit të Prishtinës. Edhe këtë vit ky seminar ka mbledhur rreth vetes profesorë, studentë, studiues e dashamirë të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqipe, të cilët janë vendosur në Prishtinë për t’i dëgjuar ligjëratat që mbahen në kuadër të këtij seminari, por edhe për të marrë pjesë në kurset e gjuhës ose në aktivitetet e tjera që organizohen shkruan sot gazeta “Zëri”.

Në hapje të këtij seminari drejtori Rrahman Paçarizi tha se ky seminar është ambasadori i parë dhe më i suksesshëm i Kosovës, pasi që nëpër të kanë kaluar të gjithë studiuesit e albanologjisë, të cilët kanë hapur katedrat e shqipes në vende të shumta në botë. “Si drejtor i seminarit kam qenë i shqetësuar që sivjet studiuesit e seminarit kanë qenë të demotivuar aq shumë sa të mos marrin pjesë fare në sesionet shkencore dhe në aktivitetet e tjera. Fatmirësisht ka ndodhur e kundërta. Kemi pasur prurje shumë cilësore dhe të numërt, që na ka detyruar të bëjmë përzgjedhje rigoroze të të paraqiturve”, theksoi ai.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. I pari i Qeverisë së Kosovës tha se Seminari i 37-të i Albanologjisë shënon një moment të posaçëm për kombin shqiptar, pasi që në kohëra të errëta të kombit ky seminar ka shpërndarë një dritë të shqipes në botë. “Në kohëra të errëta të jetës sonë, në kohëra të rënda, një dritë është shkrepur nga këtu, një dritë e shqipes në botë dhe atë jo nga vetë ne, por nga ata që kanë ardhur të njohin prej më afër dhe të transmetojnë shqipen e shqiptarët te popujt e tjerë… Nuk është kohë e lëvdatave të mëdha, meqenëse shqipja dhe shqiptarët kanë vështirësitë e veta, qoftë si gjuhë, qoftë si komb, por një gjë nuk ka ndryshuar. Jemi vlerë universale, i takojmë këtij globi. Gjuha jonë është prej më të hershmeve në botë dhe si e tillë e meriton që sa më shumë të njihet në botë. Shqiptarët janë njerëz të mirë, janë popull që meritojnë të njihen”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, për të marrë pjesë në hapjen e këtij seminari kishte ardhur edhe ministrja e Arsimit në Shqipëri Lindita Nikolla, e cila tha se albanologjia ka luajtur një rol të vyer në konsolidimin e kombit shqiptar. “Gjuha shqipe fatmirësisht nuk hynë në gjuhët e rrezikuara të Evropës për të cilat BE-ja ndan fonde, por edhe pse kjo është e mirë, na takon qeverive të dy vendeve tona, Kosovës dhe Shqipërisë, që t’ju mbështesim juve, të jemi krahë jush për të mësuar seminare të tilla të standardeve të larta… Unë jam shumë e lumtur që kësaj nisme të Fakultetit të Filologjisë i është bashkuar edhe Universiteti i Tiranës”, u shpreh ajo.

 

E para e Fakultetit të Filologjisë, dekanja Lindita Rugova, tha se ky seminar është forumi më gjithëpërfshirës shkencor i shqipes në botë. Rugova theksoi se seminari si aktivitet shkencor dhe kulturor do përkrahje dhe investimi në këtë seminar është investim në të ardhmen.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë, atëherë Fakultetit Filozofik, të Universitetit të Prishtinës. Ky seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë përgjithësisht. Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetepesë sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

You may also like