Ballina Lajme

Daçiq: As anëtarët e Kombeve të Bashkuara nuk janë të sigurt më në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka thënë se situata në Kosovë po përkeqësohet çdo herë e më shumë.

Daçiq ka deklaruar se trajtimi gjendjes në Kosovë është një mundësi që nuk duhet lënë anash sepse duhet të merret parasysh situata në terren.

“Më lejoni të ritheksoj thirrjen time për dialog dhe thirrjen për një zgjidhje të çështjes së Kosoëvs. Ajo që na duhet janë palët që veprojnë në mënyrë racionale dhe i zbatojnë ato çka merren vesh. Njëra palë ka vepruar ashtu siç duhet, tjetra jo, Prishtina nuk po planifikon të plotësojë asnjë marrëveshje që është arritur deri tash”, ka thënë ministri serb, raporton lajmi.net.

Ai ka theksuar se moszbatimi i marrëveshjeve është një ofendim edhe ndaj BE-së.

“Unë pata nënshkruar marrëveshjen e parë mbi parimet e Prishtinës dhe Beogradit. Negociatat nuk ishin fare të lehta megjithatë, vendi im ka zbatuar të gjitha marrëveshjet. Përfaqësuesit e Prishtinës kanë thënë se nuk do ta zbatojnë marrëveshjen për Asociacionin dhe kanë kërcënuar BE-në për bashkim me Shqipërinë”.

Sipas tij, mesazhe kërcënuese për bashkim, ka bërë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ndërsa sa i përket operacionit policor në veri të vendit, Daçiq ka thënë se është ushtruar dhunë ndaj serbëve.

“Përdorimi i tepërt i forcës policore është indikacion për një qëllim krejt tjetër, ky është qëllim që t’i frikësoj serbët e Kosovës. Ata janë rrahur ndërsa shqiptarët janë ndaluar pa ndonjë masë tjetër. Popullata serbe në Kosovë do vazhdojë të jetë e frikësuar dhe terrorizuar. U patëm pajtuar se forcat policore të Kosovës nuk do të hyjnë në veri, këto kushte nuk janë plotësuar. Aty janë arrestuar dy zyrtarë të UNMIK-ut. Edhe anëtarët e Kombeve të Bashkuara nuk janë të sigurt më në Kosovë”, ka thënë Daçiq.

Tutje, ai ka bërë thirrje që të vazhdojë mandati i UNMIK-ut në Kosovë.

“Ju rikujtojë s mandati i UNMIK-ut përcaktohet nga ky këshill, zhvillimet në Kosovë janë evidente se Bashkësia Ndërkombëtare duhet të jetë më e përkushtuar, jemi të vetëdijshëm se disa kanë kërkuar rishikim të mandatit të UNMIK-ut. E kuptojmë të gjithë sesa larg jemi nga situata stabile në Kosovë. Rrezikshmëria e situatës mund të jetë e kushtueshme. Autoritetet e Prishtinës mendojnë se mund ta reduktojnë misionin duke rrahur pjesëtarët e tij”.

You may also like