Lajme Rajoni dhe Bota

Çavuşoğlu: Do të vazhdojmë të mbështesim Venezuelën

Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu theksoi se Turqia do të vazhdojë të mbështesë Venezuelën, e cila së fundmi është përfshirë nga një krizë politike, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu realizoi një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij venezuelas Jorge Arreaze, i cili gjendet për vizitë zyrtare në kryeqyetin turk Ankara.

Kryediplomati turk tërhoqi vëmendjen se Venezuela është duke përjetuar ditë të vështira që nga 23 janari, kur kreu i opozitës, Juan Guaido, shpalli veten president të përkohshëm të shtetit.

“Ne si Turqi, në kuadër të respektimit të parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve dhe respektimit të vullnetit të qytetarëve, e njohim qeverinë e (Nicolas) Maduros si qeveri legjitime”, u shpreh ai.

Duke komentuar edhe sanksionet e njëanshme, Çavuşoğlu tha se, ato dëmtojnë vetëm qytetarët.

“Çdo situatë negative në Venezuelë mund të ndikojë në gjithë Amerikën Latine, madje edhe në Karaibe. Mendojmë se Venezuela do t’i tejkalojë këto ditë të vështira në solidaritet. Ne bashkëpunimin me Venezuelën do ta vazhdojmë edhe në periudhën e ardhshme. Do të vazhdojmë të mbështesim Venezuelën. Jemi pranë popullit të Venezuelës”, tha ministri i Jashtëm turk.

Çavuşoğlu njoftoi se gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) do të takojë Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare, John Bolton.

Duke komentuar edhe zgjedhjet lokale që u realizuan dje në Turqi, ai tha se duhet të respektohen preferencat e popillit dhe se zgjedhjet janë realizuar në një pjekuri demokratike.

“Me këto zgjedhje populli ynë ka votuar për vazhdueshmërinë dhe stabilitetin e vendit. Partia jonë ka fituar me diferencë të dukshme”, përfundoi ai.

You may also like