Ballina Lajme

Brovina e pranon se fotografia që publikoi nuk ishte e luftës në Kosovë

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina pas intervistimit nga ana e policisë, ka pranuar se fotografia të cilën e ka publikuar dje nuk është realizuar gjatë luftës në Kosovë.

Ajo u ka kërkuar falje të gjithëve për shqetësimin e krijuar me publikimin e asaj fotografie.

“Ju kërkoj falje për shqetësimin që ju kam sjellur me këtë foto, deklaroj se organet e shtetit do të merren me këtë çështje, dhe konstatoj se është një dokument i falsifikuar i cili është keqpërdorur shumë më herët qysh në vitin 2003 kur më është dorëzuar si kryetare e komisionit për personat e pagjetur”, ka thënë Brovina.

Ajo ka treguar se nga kush e pranoi atë fotografi.

“E kam marrë nga një asociacion, pra këshilli i drejtave të njeriut. Një aktivist ma ka dorëzua dokumentin në zarf dhe e dokumentonte se mund ta përdori dhe se personi është gjallë, dëshmitare ka qenë edhe nënkryetarja e komisionit për personat e zhdukur. Unë kurrë s’kam menduar se dikush mund të më sjellë dokumente që nuk janë të verifikuara dhe të sakta. Shumica e dhunimeve në Kosovë kanë pasur situata të ngjashme, prandaj nuk kam besuar që ky dokument nuk është i saktë” u shpreh Brovina.

Ajo theksoi se personi që ia kishte dorëzuar këtë fotografi, që emrin tha nuk ia mbanë mend i kishte thënë se ngjarja ka ndodhur diku në Dukagjin.

Deputetja shtoi se do të jetë në dispozicion të institucioneve të shtetit për këtë rast.

You may also like