Ballina Lajme

“Bereqeti” shpërndan 500 pako ushqimore për familjet skamnore në Prishtinë

Ditës së parë të muajit të shenjtë të Ramazanit iu gëzuan shumë jetim dhe skamnorë. E gjithë kjo pasi që sot për ta Shoqata Humanitare “Bereqeti”, e cila funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame, bëri ndarjen e 250 pakove ushqimore, të cilat u mundësuan nga donatori Eset Maqani, pronar i kompanisë “Sh.p.k. Maqani”, raporton Ekonomia Online.

Imami i Xhamisë “Pavarësia” në Prishtinë, Nexhmi Hoxha, tha se ditëve në vazhdim do shpërndahen edhe 250 pako të tjera ushqimore, për 250 familje të tjera, raporton Ekonomia Online.
Ai shtoi se i gjithë ky gjest human, nuk realizohet vetëm në muajin e Ramazanit, por edhe gjatë muajve tjerë.

“Sot në fillim të muajit të Ramazanit, shoqata “Bereqeti” me degën në Prishtinë, që funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, kemi bërë shpërndarjen e 250 pakove ushqimore për skamnorët dhe jetimët, donatorët i kemi pasë vendorë, ata të cilët, sot kemi donatorë Eset Maqanin me firmën Maqani i cili e ka bërë shpërndarjen e 250 pakove, ditëve në vazhdim i kemi edhe 250 tjera që na ka premtu dhe shpresojmë që do finalizohet kjo edhe ditëve të tjera, do mundohemi që gjatë këtij Ramazani por edhe muajve të tjerë të jemi me skamnorë, me ata të cilët kanë nevojë.

…Shpresojmë që do kemi edhe donatorë të tjerë të cilët do kontribuojnë që këtë muaj të Ramazanit, qytetarët ta presin ashtu si duhet, të mundohen të jenë prej atyre të cilët kontribuojnë dhe të gjithë të ndijnë aromën e muajit të Ramazanit”, tha Hoxha.

Të parët që i gëzojnë këto pako ushqimore, sipas Hoxhës, janë jetimët duke vazhduar pastaj me ata që marrin ndihma sociale.

“Paraprakisht ne mundohemi të jemi sa më afër secilit qytetar, fillimisht i kemi parasysh jetimët, ata të cilët kanë nevojë për këto ndihma, pas tyre vijnë rastet sociale, por edhe ta të cilët kanë ndonjë anëtarë të sëmurë apo ndonjë familjarë që ka nevojë për ndihma të ndryshme, mundohemi me shku edhe në familje e shtëpi me e pa gjendjen e tyre, i kemi dokumentet e secilës familje, që së paku të dimë gjendjen e tyre”, tha ai për Ekonomia Online.

Ali Ibishi, banor i Kodrës së Trimave në Prishtinë, i cili pati mundësi të fitojë një nga këto pako, tha se këto pako janë të mira dhe të mirëseardhura për ta.

“Ne e falënderojmë shoqatën “Bereqeti” që gjithmonë ka nda ndihma për ne, çdo Ramazan dhe Natë të Madhe, sidomos edhe atëherë kur kemi pasë nevojë, këto ndihma për fillim janë të mira dhe ato janë gjithmonë të mirëseardhura”.

Roza Luka, nga Mramori, falënderoi donatorët e kësaj vepre, të cilët kanë bërë ndarjen e 500 pakove ushqimore.

“Unë jam nga Shkodra, por burrin e kam të Mramorit, i falënderoj shumë këta që po na japin ndihma, jo vetëm mua, por të gjithëve”.

Një aktivitet tjetër humanitar i Shoqatës “Bereqeti” do jetë organizimi i iftareve falas, për të varfrit dhe jetimët i cili do përcillet gjatë 30 ditëve të muajit të Ramazanit.

You may also like