Lajme

Analizat e MMPH: Peshqit nuk kanë ngordhur nga uji

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pas pranimit të mostrave të ujit nga vendi i ngjarjes nga inspektorati i komunës së Malishevës, ka bërë analizat në laborator për të verifikuar nëse cilësia e ujit ka ndikuar në ngordhjen e peshqve.

“Sipas raportit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës brenda MMPH-së, del se uji nuk ka qenë faktor për ngordhjen e peshqve në Lumin Mirusha në Malishevë”, thuhet në njoftim.

Përveç analizave të institutit, ekipi i inspektorëve të MMPH-së, sot ka qenë në terren së bashku me drejtorin dhe inspektorët komunal, ku në lumin Mirusha-Malishevë, gjatë inspektimit nuk kanë hasur në ndonjë biznes që operon apo ndonjë dëshmitar lidhur me aksidentin mjedisor në lumin Mirusha.

Për të verifikuar edhe me tej shkaqet e ngordhjes së peshqve, pas kërkesës së MMPH-së, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të bëjë analizat për të konstatuar shkaktarin e ngordhjes së peshqve.

“MMPH do t’iu mbajë të informuar në lidhje më këtë rast, dhe njëkohësisht inkurajon qytetarët që të bashkëpunojnë me organet përgjegjëse për të çdo informacion në lidhje me shkaqet që mund të kenë shkaktuar këtë fenomen”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

You may also like