Ballina Lajme

16 vjet burg për vrasjen e 55 vjeçares

Me 16 vjet burgim është dënuar Fidan Gashi nën akuzën se në shkurt të këtij viti kishte vrarë Ajnishahe Bytyqin.

Ngjarja për të cilën akuzohet Gashi kishte ndodhur në fshatin Rogovë të Gjakovës. Në muajin shkurt në mesnatë dorasi kishte hyrë në shtëpinë e viktimës dhe pas një fjalosje e kishte goditur me një dru në kokë.

Aktakuza përshkruan edhe veprimet e tjera të cilat quan në vdekjen e viktimës.

“I akuzuari duke dashur t’i fshehë gjurmët, e vendos viktimën në një divan dhe e mbulon me një batanije dhe për të qenë i sigurt që ka vdekur e shtrëngon me një kabllo në qafë dhe pastaj largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në aktakuzë.

Gashi në seancën e fundit kishte pranuar fajësinë.

“Po unë e kam mbyt dhe dua që të më falë Zoti”, deklaroi i akuzuari i cili përpos Zotit falje i ka kërkuar edhe familjes veçanërisht familjes së të ndjerës.

Gjashtë muaj pas ngjarjes, Gashi ka pranuar fajësinë ndërsa Gjykata ka vendosur që ta pranojë deklaratën e të akuzuarit për pranimin e fajësisë.

Në seancën e fundit prokurori i çështjes ka kërkuar dënim sipas ligjit.

“Si rrethanë rënduese është se i akuzuari gjatë kryerjes së veprës penale pasi që i ka rënë me dru në kokë, i njëjti është kthyer për herë të tretë në shtëpinë e viktimës duke e ngulfatur me një kabëll të shtrënguar në qafë”, ka thënë prokurori Matjani.

Ndërsa avokatja Blerina Kurtaj ka kërkuar që ndaj të pandehurit të shqiptohet një dënim i butë pasi sipas saj veprimi a qenë momental dhe qëllimi i të akuzuarit nuk ka qenë shkaktimi i vrasjes.

You may also like